Në QNR po vazhdon numërimi i fletëvotimeve të ardhura nga votimi jashtë Kosovës, gjegjësisht ng përfaqësitë diplomatike të Kosovës.
Pas numërimit të rreth 70 për qind e votave nga ambasadat dhe konsullatat, Lëvizja Vetëvendosje ka arritur të sigurojë 50 mandate. Për pasojë, PDK tani ka një vend më pak në parlament, gjegjësisht 23 mandate.
Sipas rezultateve të deritanishme, LVV-ja ka siguruar 299 mijë e 526 vota ose 43.62 për qind të votave, ose 50 ulëse në Kuvend.
Partia Demokratike e Kosovës renditet e dyta me 143 mijë e 770 vota apo 20.94 për qind, duke siguruar 23 mandate.
Lidhja Demokratike e Kosovës ka marrë 117 mijë e 361 vota ose 17.09 për qind, që aktualisht i japin 19 ulëse parlamentare.
Ndërkaq, Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës ka siguruar 49 mijë e 123 vota, apo 7.15 për qind, duke mbetur me tetë mandate.
Procesi i numërimit të votave të ardhura nga jashtë vendit është ende në zhvillim dhe rezultatet mund të pësojnë ndryshime deri në përfundimin e plotë të numërimit.