Partia Popullore Zvicerane (SVP) nuk heq dorë nga agjenda e saj, pavarësisht refuzimit të iniciativës “Jo 10 milionëve”. Tashmë janë në fokus neutraliteti, azili dhe marrëdhëniet me Bashkimin Evropian, përcjell albinfo.ch.
Megjithëse Partia Popullore Zvicerane (SVP) pësoi një disfatë në referendumin e 14 qershorit, kur iniciativa e saj “Jo 10 milionëve” u refuzua nga afro 55 për qind e votuesve, partia e djathtë konservatore po përgatitet për beteja të reja politike.
Një nga projektet kryesore të saj është iniciativa për mbrojtjen e neutralitetit të Zvicrës, e cila do t’i nënshtrohet votimit popullor më 27 shtator.
SVP argumenton se neutraliteti tradicional i vendit duhet të mbrohet dhe të forcohet në kushtet e zhvillimeve të fundit ndërkombëtare.
Po ashtu, partia po punon për të ashtuquajturën “Iniciativë për Mbrojtjen e Kufijve”, e cila synon të ndalojë hyrjen e paligjshme të azilkërkuesve në territorin zviceran. Kjo nismë pritet të jetë një nga temat kryesore të debatit politik në muajt e ardhshëm.
Një tjetër front ku SVP po përqendron energjitë e saj është kundërshtimi i marrëveshjeve të reja mes Zvicrës dhe Bashkimit Evropian. Partia ka paralajmëruar se do të angazhohet fuqishëm kundër çdo referendumi që lidhet me paketën e re të marrëveshjeve me Brukselin.
Pavarësisht dështimit të fundit në referendum, SVP mbetet forca më e madhe politike në Zvicër dhe synon të rikthejë në qendër të debatit çështje si sovraniteti, migracioni dhe marrëdhëniet me BE-në./Albinfo.ch