Lajme

OKB: Nevoja për ndihmë humanitare nuk ka qenë kurrë kaq e lartë

Nevoja për ndihmë humanitare është duke u rritur, teksa pandemia vazhdon të shtrihet dhe ndryshimet klimatike apo konfliktet shtyjnë njerëzit në prag të urisë, tha Organizata e Kombeve të Bashkuara.

Agjencia humanitare e Kombeve të Bashkuara (OCHA) ka vlerësuar se 274 milionë persona në gjithë botën do të kenë nevojë për ndihmë urgjente vitin e ardhshëm, çka shënon rritje prej 17 për qind në krahasim me vitin 2021.

Shefi për ndihma në OKB, Martin Griffiths, ka thënë se numri i njerëzve që kanë nevojë për ndihma “nuk ka qenë kurrë kaq i lartë sa tani”.

Sipas OKB-së, për të ofruar ndihmë për 183 milionë persona më të cenueshëm në 63 shtete të botës, vitin e ardhshëm do të duhen 41 miliardë dollarë, në krahasim me 35 miliardë më 2021.

Raporti i ri ka shpërfaqur një pamje të zymtë të nxitur edhe nga konfliktet dhe jostabiliteti në shtetet si Afganistani, Etiopia dhe Mianmari./Euronews