Lajme

Një mjek në Zvicër u dënua me 100 mijë franga dëmshpërblim pas një diagnoze të gabuar

Gjykata Federale e Zvicrës ka konfirmuar vendimin ndaj një mjeku nga kantoni Valais, i cili u shpall fajtor për shkaktim të lëndimeve të rënda trupore nga pakujdesia. Ai është urdhëruar t’i paguajë pacientes 100 mijë franga zvicerane si dëmshpërblim për dëmin moral, pasi gabimi në diagnozë e la atë me aftësi të kufizuara të rënda fizike dhe njohëse.

Ngjarja daton në maj të vitit 2017, kur një grua e re nisi të vuante nga dhimbje koke jashtëzakonisht të forta, krejt ndryshe nga migrenat që kishte përjetuar më parë. Të hënën ajo u konsultua me mjekun kujdestar, i cili i përshkroi vetëm qetësues kundër dhimbjeve. Të nesërmen kontaktoi mjekun e familjes, i cili e këshilloi të telefononte sërish nëse dhimbjet vazhdonin.

Të enjten, për shkak se gjendja nuk ishte përmirësuar pavarësisht përdorimit të qetësuesve dhe ilaçeve kundër inflamacionit, gruaja u paraqit për një vizitë urgjente te mjeku i familjes.

Gjatë konsultës, mjeku mësoi se pacientja kishte goditur kokën në një dollap ditën kur kishin nisur dhimbjet. Ai e lidhi gjendjen me një dëmtim të qafës si pasojë e goditjes dhe urdhëroi kryerjen e një skaneri (CT), por jo një rezonancë magnetike (MRI), pasi pacientja vuante nga klaustrofobia.

Skaneri, i kryer një ditë më vonë, nuk tregoi asnjë anomali. Megjithatë, vetëm dy ditë më pas gruaja pësoi çarjen e aneurizmës, e cila i shkaktoi dëmtime të rënda dhe të përhershme, si në aspektin fizik ashtu edhe në atë njohës. Që nga viti 2017 ajo jeton në një institucion të specializuar për persona me dëmtime cerebrale dhe kthehet në shtëpi vetëm gjatë fundjavave.

Mjeku duhej të kishte urdhëruar një ekzaminim më të detajuar

Gjykata kantonale vlerësoi se mjeku kishte kufizuar tepër diagnozën diferenciale. Duke u përqendruar vetëm te dhimbjet e shkaktuara nga goditja në kokë, ai neglizhoi mundësinë e një aneurizme të çarë, ndonëse simptomat – dhimbje koke të papritura dhe shumë të forta – ishin tregues të qartë për një gjendje të tillë.

Sipas gjykatës, mjeku duhej të kishte urdhëruar një tomografi kompjuterike me lëndë kontrasti, ekzaminim që do ta kishte zbuluar aneurizmën në kohë.

Përveç 100 mijë frangave që duhet t’i paguajë pacientes, gjykata urdhëroi që ai t’i kompensojë edhe bashkëshortit të saj me 50 mijë franga për dëmin moral, si dhe vajzës së çiftit, e cila në kohën e ngjarjes ishte vetëm dy muajshe, me 35 mijë franga.

Gjykata Federale la në fuqi vendimin në thelb, por pranoi pjesërisht ankesën e mjekut lidhur me gjobën penale. Dënimi me kusht prej 45 gjobash ditore u ruajt, por vlera e secilës gjobë u ul nga 230 franga në 55 franga/albinfo.ch/