Qeveria e Kosovës ka mbajtur mbledhjen e radhës, në të cilën ka miratuar një sërë vendimesh që lidhen me bashkëpunimin juridik ndërkombëtar, politikat publike, shkencën, projektet infrastrukturore dhe investimet në nivel lokal, përcjell albinfo.ch.
Në fushën e drejtësisë, ekzekutivi ka miratuar tri projektligje për ratifikimin e marrëveshjeve me Mbretërinë e Suedisë, që kanë të bëjnë me ekstradimin, ndihmën e ndërsjellë juridike në çështjet penale dhe transferimin e personave të dënuar.
Sipas Qeverisë, këto marrëveshje synojnë forcimin e sundimit të ligjit, rritjen e bashkëpunimit ndërmjet dy shteteve dhe lehtësimin e procedurave juridike.
Gjithashtu, është miratuar Projektligji për Ratifikimin e Traktatit ndërmjet Kosovës dhe Belgjikës për Ndihmë të Ndërsjellë Juridike në Çështje Penale. Traktati parasheh bashkëpunim në shkëmbimin e dokumenteve dhe informacioneve, bastisjet dhe sekuestrimet, marrjen e deklaratave, konfiskimin e pasurisë dhe krijimin e ekipeve të përbashkëta hetimore.
Në fushën e politikave publike, Qeveria ka miratuar Raportin për Vlerësimin Ex-Post të Ligjit për Mbrojtjen e Fëmijës, si dhe Raportin për Gjendjen e Mjedisit në Kosovë për vitin 2025, i cili do t’i procedohet Kuvendit.
Propozohen 15 anëtarë për Këshillin Kombëtar të Shkencës
Qeveria ka miratuar edhe propozimin për emërimin e 15 anëtarëve të Këshillit Kombëtar të Shkencës, të cilët pritet të shqyrtohen nga Kuvendi i Kosovës.
Në përbërjen e propozuar janë: Aliriza Arënliu në psikologji, Arbnora Dushi në folkloristikë, Armond Daci në farmakologji, Arven Syla në energjetikë, Besnik Krasniqi në ekonomi dhe ndërmarrësi, Emine Kalaja-Hajdari në histori, Fetah Podvorica në elektrokimi, Ibrahim Krasniqi në ekonomi dhe menaxhim, Majlinda Bregasi në gjuhësi, Mentor Alishani në veterinari, Mihone Kerolli-Mustafa në inxhinieri mjedisore, Mimoza Ibrani në telekomunikacion, Myzafere Krasniqi-Limani në elektronikë, Tringa Dedi në pedagogji dhe Valmir Krasniqi në matematikë.
Miratohen vendime për shpronësime në Prizren, Klinë dhe Lipjan
Në kuadër të projekteve infrastrukturore, ekzekutivi ka miratuar vendimin përfundimtar për shpronësimin e pronave që preken nga ndërtimi i rrugës Korishë–Kabash, me lidhje me rrugën rajonale R-118, në Komunën e Prizrenit.
Vendimi përfshin pronat dhe objektet në zonat kadastrale Lubizhdë, Skorobishtë, Korishë dhe Kabash.
Po ashtu, është miratuar vendimi preliminar për shpronësimin e pronave që preken nga ndërtimi i rrugës tranzit në Klinë, nga rruga N9 deri te R-1041 Klinë–Gurakoc. Projekti përfshin zonat kadastrale Klinë, Klinafc, Dollc dhe Dresnik.
Qeveria ka shqyrtuar më tej edhe kërkesën për shpronësim në kuadër të projektit të autostradës Prishtinë–Gjilan–Dheu i Bardhë, në segmentin Banullë–Bresalc, në zonat kadastrale Smallushë dhe Sllovi të Komunës së Lipjanit.
Prizrenit i ndahen rreth 1.49 milion euro
Një tjetër vendim ka të bëjë me ndarjen e 1 milion e 489 mijë e 670 eurove për Komunën e Prizrenit, për realizimin e projektit “Efiçienca e Energjisë në Ndërtesa Publike në Prizren”.
Mjetet do të ndahen përmes Klauzolës së Investimeve, me qëllim të përmbushjes së obligimeve financiare për punët e realizuara, në përputhje me dinamikën e zbatimit të projektit.
Vendimet e miratuara në këtë mbledhje përfshijnë kështu çështje të bashkëpunimit ndërkombëtar, kërkimit shkencor, mbrojtjes së mjedisit dhe fëmijëve, si dhe projekte infrastrukturore e investime në komuna./Albinfo.ch