Skip to content

Alpinisti humb jetën pas rënies së gurëve në Matterhorn

Një alpinist ka vdekur pas një rrëzimi fatal gjatë ngjitjes në malin Matterhorn në Zvicër. Aksidenti ndodhi të martën në mëngjes, pasi në afërsi të dy alpinistëve pati rënie gurësh.

 

Ngjarja ndodhi pak pas orës 06:00, kur dy alpinistët po ngjiteshin përmes kreshtës Hörnligrat, në një lartësi prej rreth 3.500 metrash mbi nivelin e detit. Në afërsi të tyre pati rënie gurësh, ndërsa pak më pas njëri prej alpinistëve humbi nga shikimi shoqëruesin e tij dhe njoftoi menjëherë ekipet e shpëtimit, përcjell albinfo.ch.

Organizata kantonale e shpëtimit në Valis angazhoi një helikopter të kompanisë së shpëtimit ajror Air Zermatt. Ekipet kërkuan në zonën ku kishte ndodhur incidenti dhe arritën ta lokalizonin alpinistin e zhdukur pas një kohe të shkurtër.

Megjithatë, ndërhyrja e shpëtimtarëve nuk mundi t’ia shpëtonte jetën. Ai kishte pësuar lëndime fatale si pasojë e rrëzimit.

Identiteti i viktimës ende nuk është konfirmuar zyrtarisht. Prokuroria e Valisit ka nisur hetimet për të sqaruar rrethanat e aksidentit dhe për të përcaktuar se si ndodhi tragjedia në Matterhorn./Albinfo.ch