Integrimi
Niset për të ndihmuar fëmijët jetimë dhe invalidët
"Ishin 7 fëmijë të vegjël. Prindërit u ishin vrarë në luftë, ndërsa motra më e madhe me emrin Dafina ishte vetëm 13 vjeçe ..."
Menjëherë nga paslufta e Kosovës, nga dhimbja, malli dhe dëshira për t’u ndihmuar familjeve të ndryshme anembanë Kosovës u bashkuan ashtu siç kanë ditur gjithmonë të bashkohen shumë bashkatdhetarë nga Zvicra dhe më gjerë dhe t’u dalin në ndihmë shumë familjeve nevojtare në Kosovë.
Salih Zahiri, njëherësh kryetar i shoqatës “Fshija lotin jetimit”, të hollat që i ka mbledhur nga shqiptarët në diasporë i ka dërguar në Kosovë për t’i ndihmuar fëmijët jetimë, invalidët dhe familjet skamnore. Ai thotë se e ndien veten të çliruar atëherë kur u ndihmon atyre që kanë nevojë.
Kjo shoqatë ndihmon që nga paslufta në Kosovë dhe ka përkrahjen e madhe financiare nga komuniteti shqiptar në diasporë. Shoqata “Fshija lotin jetimit” buron nga zemrat dhe dëshira për të ndihmuar. Ideja për themelimin e saj lindi mu në Ditën e Bajramit të parë të pasluftës, nga vetë imami Salih Zahiri, i cili ishte duke mbajtur fjalimin para besimtarëve në një xhami në Zvicër.
I emocionuar, Zahiri tregon gjithë ngjarjen se si është bërë themelimi i shoqatës.
“Ditën e Bajramit të parë të pasluftës u mblodhën shumë shqiptarë që ta falin Bajramin, diku rreth 380 besimtarë. Atë ditë nga emocionet dhe nga tubimi aq i madh i shqiptarëve më lindi ideja që së bashku të bëjmë diçka për t’i ndihmuar popullit në Kosovë. Isha duke mbajtur ligjëratë mbi fenë dhe menjëherë e ndërrova temën dhe fillova të flas për nevojën e ndihmës financiare dhe shpirtërore që ka Kosova. Iu luta besimtarëve që të ndajmë së bashku të holla aq sa kemi mundësi dhe t’u ndihmojmë familjeve në Kosovë. Duke filluar njëherësh nga vetë unë, e deri te i fundit, së bashku i tubuam hiq më pak se 62.000 franga zvicerane brenda asaj dite”, tregon Zahiri.
Që nga atëherë e deri më sot e mban një fletore me shënime gjithmonë me vete, ku i shënon dhe i regjistron të gjithë ata që kanë ndihmuar.
Vlen të përmendet se në këto shënime ka edhe personalitete të njohura për ne, siç është Luan Krasniqi, Azem Maksutaj, e shumë të tjerë që e kanë përkrahur financiarisht këtë shoqatë. Pse e emërtuan shoqatën me emrin “Fshija lotin jetimit”?
“Ishin 7 fëmijë të vegjël, kurse prindërit iu ishin vrarë në luftë, ndërsa motra më e madhe me emrin Dafina atëkohë ishte vetëm 13 vjeçe dhe fëmijët e tjerë të gjithë më të vegjël. Si ndihmë ne ia dhamë 100 marka atëherë në dorë, kurse ajo nga situata dhe falënderimi që donte të na jepte filloi të qajë dhe lotët i fshinte me duar e me të hollat që ne ia dhamë.
Ky kujtim nuk më hiqet dot nga mendja. Ka shumë raste të rënda që i kemi ndihmuar dhe ende i ndihmojmë. Qëllimi i shoqatës sonë është që t’i ndihmojmë jetimët, invalidët dhe ata që me të vërtetë kanë nevojë për ndihmë”, tregon Zahiri, duke kujtuar ngjarjen e dhimbshme.
Ndihmat e kësaj shoqate do të shpërndahen anembanë Kosovës, duke filluar nga Krusha e Madhe, fshatrat e Drenicës e Dukagjinit, Llap e Anamoravë.
Ndonëse i moshuar, imami Salih Zahiri thotë se nuk ndalet për t’i ndihmuar popullit të tij në Kosovë. Salih Zahiri është nga Bukoviku i komunës së Gjilanit. Ai si i ri kishte filluar të angazhohej për çështjen kombëtare.
Salihi në vitin 1981 kishte migruar në Zvicër. 69-vjeçari shërben si Imam në xhaminë e Brugg-ut të Aargau-së.
Ndryshe, pjesëtarët e mërgatës kanë ndihmuar dhe ndihmojnë gjithmonë të afërmit e tyre në Kosovë, por edhe familjet me nevojë. Dërgesat e mërgimtarëve kosovarë janë një faktor shumë i rëndësishëm për ekonominë e Kosovës. Diku rreth 25 për qind e familjeve në Kosovë marrin të hyra të rregullta nga diaspora.
Visar Kryeziu
Të tjera nga Integrimi
E-Diaspora
-
Baleti Kombëtar i Kosovës prezanton “Bolero” dhe “Correr o Fado” në Festivalin Ndërkombëtar të Baletit në Bodrum Trupa kosovare u prezantua për herë të parë në Festivalin Ndërkombëtar të Baletit në Bodrum, duke... -
Itali
Romë: Arbenita Ibrahimi shkëlqen në skenën e “Notti Romane” -
Zvicër
Dr. Zana Spahija Taturi, gjinekologia shqiptare që po kontribuon në luftën kundër FGM/C -
Talentet e Kosovës synojnë Oxford-in, nis fushata për mbështetjen e nxënësve të rinj -
Romë
Nga Prizreni në Romë: Hira Haxhibeqiri po ngjitet në skenën e muzikës serioze
Jeta në Austri
-
Trenat e Aeroportit të Vjenës devijohen pas zjarrit në kabllon Praterstern Një zjarr në kabllo pranë stacionit Praterstern të Vjenës vazhdon të pengojë transportin publik në qytet.... -
Austri: Ka shtënë me armë mbi policët, burg i përjetshëm për kosovarin -
Vetëm 3 nga 30 kafenetë e Vjenës shërbejnë ujë falas -
Dhëniet e shtetësisë austriake rriten me 17% në gjysmën e parë të vitit 2026 -
Austri: Arrihet marrëveshja, këta klientë të bankës marrin paratë mbrapsht













