Lajme

Nga Strellci i Deçanit, në Asamblenë e Komunës Horn të Austrisë

“Të angazhohemi sa më shumë në politikë dhe në të gjitha sferat. Kështu jemi të integruar, por jo të asimiluar”

Shefqet Balaj nga Strellci i Ulët i Komunës së Deçanit erdhi në Austri qysh në vitet  80-a. Sapo kishte përfunduar studimet në Degën e Letërsisë dhe Gjuhës Shqipe, në Fakultetin Filologjik, në Universitetin e Prishtinës, u burgos nga regjimi serb. Pasi vuajti dënimin me burg, Shefqet Balaj mori vendimin të largohej nga Kosova dhe t’i bashkohej babait që tashmë kishte vite që jetonte në Horn të Austrisë.

Për Balajn, të qenët larg Kosovës ishte sfidë në vete, ngase ai kërkonte rrugë për t’i ndihmuar atdheut që në atë kohë ishte në një situatë lufte.

“Sfidat e mia nisin nga lufta për të mbijetuar, deri tek rregullimi i dokumentacionit, sepse duhej të bëja punë shumë të vështira që nuk kishin të bëjnë me profesionin tim. Pastaj, dashuria për atdheun. Unë e ndjeja këtu se duhej të punoja për atdhe. Pra, për mua primare ishin dy gjëra: integrimi në shoqërinë austriake dhe angazhimi për Kosovën, ku përmes shoqatave shqiptare atëherë, përmes fondeve dhe organizimeve të ndryshme humanitare i ndihmonim vendit”, thotë Shefqeti për albinfo.at.

Anëtarësimi në ÖVP, zgjedhja si asamblist në Horn

Shefqet Balaj ishte anëtarësuar në Lidhjen Demokratike të Kosovës menjëherë me krijimin e kësaj partie. Pas ardhjes së tij në Austri, ai vazhdoi punën për të përkrahur pavarësinë e Kosovës. Zhvillimet e tij politike në Horn nisën në vitet 90-a  kur iu bashkua Partisë Popullore të Austrisë (ÖVP).

“Angazhimet e mia politike para se të vija në Austri ishin më shumë revolucionare sesa pluraliste, për arsye se deri në atë kohë ishim rritur në komunizëm. Pastaj vjen formimi i Lidhjes Demokratike të Kosovës, ku u bëra anëtar i saj. Pasi erdha dhe u vendosa në Austri, fillova aktivitete për lirinë dhe Pavarësinë e Kosovës. Këto ishin vitet 90-91, kur pata rastin ta takoj ministrin e Jashtëm të Austrisë të asaj kohe, Alois Mok. Ai si shumë politikanë austriakë, ishin të angazhuar për situatën në Kosovë. Këto ishin takimet e para më ÖVP-në, që ishte parti simotër me LDK-në”, sqaron Balaj.

Asamblisti i Hornit thotë se në listën për Asamble Komunale hyri vetëm pasi mori nënshtetësinë austriake. Ai tashmë është në mandatin e tretë në këtë pozitë.

Balaj në Komunën e Horn-it është i angazhuar në tri komisione: Komisioni i tenderimit, Komisioni i administrimit dhe ai i mirëmbajtjes së qytetit, ndërsa është i angazhuar edhe si asamblist i Bashkësisë Evropiane.

Balaj tregon se vitin e kaluar në qytetin Horn, nën organizimin e komunës dhe të tij, aty festuan 100-vjetorin e miqësisë diplomatike “Shqiptaro – austriake”. Në këtë përvjetor kishte mysafirë të shumta nga politika austriake dhe shqiptare, ku nuk munguan as ambasadori shqiptar në Austri, ai i Kosovës, i Maqedonisë së Veriut, Bosnjës dhe pati program muzikor duke prezantuar kulturën shqiptaro – austriake.

Angazhimi i shqiptarëve në politikën austriake

Sipas Balajt, shqiptarët në Austri duhet të angazhohen më shumë në politikë. Ai thotë se aktivitetet shoqërore do të ishin pozitive për komunitetin shqiptar.

“Të angazhohemi sa më shumë në politikë dhe në të gjitha sferat. Aktivitetet shoqërore janë shumë pozitive për komunitetin tonë. Kështu jemi të integruar, por jo të asimiluar. Të angazhuar do të thotë mirë të integruar. Ne tani jemi gjenerata e dytë dhe e tretë e shkolluar dhe besoj se shumë shpejt do të kemi edhe një kryetar të ardhshëm të komunës”, thotë ai për albinfo.at.

Ndërsa, kur flet për politikën në Kosovë dhe Shqipëri në krahasim me atë në Austri, Balaj shprehet me shumë pakënaqësi.

“Kosovën e gllabëruan, e sakatuan, e privatizuan në mënyrën më të egër. Tani janë duke shkatërruar bjeshkët me ndërtime dhe mbindërtime, atje ku kishim burim ajrin, ujin, drurin. Në këtë aspekt ndryshon Kosova me Austrinë sikur nata me ditën. Kurse, në Shqipëri ka akoma politikanë që kanë shërbyer në komunizëm dhe prandaj janë larg demokracisë. Në Austri rolet janë të ndara për të gjitha partitë politike, pozitë-opozitë”, thotë ai.

I pyetur se a e sheh veten të angazhuar për ndonjë parti politike në Kosovë në të ardhmen, Balaj mohon. Ai, madje kritikon politikanët kosovarë që vizitojnë Austrinë, por nuk kërkojnë dhe as nuk e pranojnë kontributin e njerëzve me eksperiencë.

“Për mua është e dhimbshme që shumë kryetarë të komunave të Kosovës nuk kërkojnë ndihmën tonë. Do të kishim mundur t’i ndihmonim si nga ana politike, ashtu edhe ekonomike. Disa nuk e shohin të arsyeshme të na vizitojnë, e disa të tjerë njoftojnë vetëm kur bëhet fjalë për donacione”, thotë ai.

“Hausservise-Sigi”, firma e Shefqet Balajt

“Hausservise-Sigi” bën pastrimin kimik të makinerive në fabrikat industriale. Shefqet Balaj e ka hapur këtë firmë pasi për 15 vjet kishte punuar si punëtor i klasifikuar i Industrisë kimike.

“Pas 15 viteve pune në një fabrikë ku mësova zanatin si punëtor i industrisë kimike vendosa të hap biznesin tim. Sigi është nofka ime. Në ´Hausservise-Sigi´ bëjmë pastrimin kimik të makinerive në fabrika industriale, si dhe pastrimin e tubave të ajrit nëpër spitale”, sqaron Balaj.

Ai ka shtuar se biznesin ia udhëheqin djali dhe vajza, për të cilët thotë se i ka dorë të djathtë. Firma tani ka 18 punëtorë.