Lajme

Nerisa Duraj: „Guximi i grave në gjithë botën është më i madh se çdo kancer“

“Pas çdo analize laboratorike qëndron përgjegjësia për jetën e një pacienti”, thekson për albinfo.at, Nerisa Duraj, duke e përkufizuar kështu peshën morale të profesionit të saj

Në një botë ku diagnozat shpesh lindin nga e padukshmja, Nerisa e ka ndërtuar misionin e saj mbi vëzhgimin e hollësishëm dhe përgjegjësinë ndaj jetës. Ajo punon në Institutin e Patologjisë Klinike pranë Ordensklinikum Linz Barmherzige Schwestern në Linz, ku çdo ditë qelizat tregojnë histori që kërkojnë sy të stërvitur dhe mendje të përqendruar. “Që në fillim më ka intriguar ajo që nuk shihet me sy të lirë, por që ka ndikim vendimtar në shëndetin e njeriut. Biokimia dhe mjekësia laboratorike përfaqësojnë pikën ku shkenca takohet me jetën reale”, shprehet ajo.

Nerisa Duraj, një grua me arritje profesionale, një bashkëshorte dhe nënë e përkushtuar, përbën si shumë të tjera gra shqiptare një grup me të cilin krenohemi, por njëkohësisht e ndjejmë edhe sakrificën dhe punën e madhe që fshihet pas këtij rrugëtimi.

Shpërngulja e saj nga Tirana në Linz është një proces i vazhdueshëm zhvillimi profesional dhe personal. Formimi i parë akademik në fushën e gjuhës dhe letërsisë i dha ndjeshmëri njerëzore dhe qartësi mendimi; më pas, studimet në shkencat mjekësore e orientuan drejt dimensionit praktik dhe shkencor të profesionit. “Pas çdo analize laboratorike qëndron përgjegjësia për jetën e një pacienti”, thekson ajo, duke e përkufizuar kështu peshën morale të profesionit të saj.

Puna në një sistem shëndetësor si ai austriak ka qenë një sfidë dhe një mundësi e jashtëzakonshme zhvillimi. Integrimi në një kulturë tjetër profesionale i ka forcuar disiplinën, standardet e larta të cilësisë dhe rëndësinë e bashkëpunimit në ekip multidisiplinar. “Ky rrugëtim më ka bindur se profesionalizmi nuk njeh kufij gjeografikë. Ai kërkon përkushtim të vazhdueshëm, guxim për të dalë nga zona e komfortit dhe gatishmëri për të mësuar çdo ditë”, thotë Nerisa për albinfo.at

Në laboratorin e citologjisë gjinekologjike, ku analizohen qelizat e qafës së mitrës përmes Pap-testit, puna e saj është një akt i përditshëm besimi tek detaji. Një ndryshim mikroskopik mund të ketë rëndësi vendimtare klinike. “Kjo punë kërkon përqendrim maksimal, saktësi dhe një ndjenjë të lartë përgjegjësie profesionale. Shpesh, një ndryshim shumë i vogël qelizor mund të ketë rëndësi të madhe klinike”, shpjegon ajo. Për Nerisën, kjo fushë është më shumë se profesion: është një kontribut i drejtpërdrejtë në parandalimin e kancerit dhe në mbrojtjen e shëndetit të grave. “Guximi i grave në gjithë botën është më i madh se çdo kancer”, shton ajo me bindje.

Diagnostikimi laboratorik, sipas saj, është themeli i mjekësisë moderne. “Shumica e vendimeve klinike bazohen në rezultate laboratorike, të cilat orientojnë diagnozën dhe trajtimin. Teknologjia rrit efikasitetin, por përgjegjësia përfundimtare mbetet tek profesionisti”, thekson ajo, duke nënvizuar rëndësinë e kompetencës njerëzore në epokën e automatizimit.

 

Përmes “Allianz für Kinder” vullnetarisht ndihmon në shërimin e fëmijëve shqiptar

Përtej laboratorit, dimensioni human i profesionit merr formë konkrete përmes angazhimit të saj vullnetar në shoqatën “Allianz für Kinder”, ku prej vitesh kontribuon në nisma që u japin fëmijëve shqiptarë mundësi trajtimi në Austri. “Për mua çdo buzëqeshje e një fëmije të sëmurë është një fitore e vogël çdo ditë”, shprehet ajo. Për Nerisen, suksesi nuk matet vetëm me arritje personale, por me kontributin që i jepet komunitetit dhe jetës së të tjerëve.

Përvoja në administratë i ka dhënë një perspektivë të gjerë mbi funksionimin e institucioneve shëndetësore, duke e bërë më të vetëdijshme për rëndësinë e organizimit, standardeve dhe përgjegjësisë profesionale. Filozofia e saj e punës lidhet fort me simbolikën e mikroskopit. “Mikroskopi më kujton se e vërteta shpesh fshihet në detaje shumë të vogla dhe se detyra jonë është t’i zbulojmë ato me integritet dhe profesionalizëm.”

Kur flet për suksesin, Nerisa mbetet e thjeshtë dhe e qartë: “Çelësi i suksesit qëndron në këmbënguljen afatgjatë dhe në gatishmërinë për të mësuar vazhdimisht. Suksesi është rezultat i disiplinës, përkushtimit dhe zhvillimit të vazhdueshëm personal e profesional.”

Puna laboratorike mund të jetë e heshtur, por ndikimi i saj është i thellë. “Të dish që kontributi yt ndihmon në diagnostikim të hershëm dhe në mbrojtjen e jetës është motivim i përditshëm”, thotë ajo. Mesazhi i saj për lexuesit është i thjeshtë dhe i fuqishëm: “Mos kini frikë të ndryshoni horizontin – profesionalizmi dhe përkushtimi do t’ju çojnë gjithmonë atje ku meritoni të jeni.”

Historia e Nerisa Durajt është dëshmi se pas çdo suksesi qëndron një rrugë e ndërtuar me përkushtim, sakrificë dhe dashuri për profesionin.