Bota

Ndryshojnë rregullat për ngjitje në Everest, shkak siguria

Një numër rekord i alpinistëve kanë tentuar të ngjiten në Everest sivjet. Por mes tyre ka pasur shumë fatalitete

Nepali ka ndaluar alpinistët e vetmuar që të ngjiten në malet e veta, përfshirë Mount Everestin, si përpjekje për të ndaluar aksidentet.

Rregullat e reja të sigurisë po ashtu nuk lejojnë alpinistët me probleme fizike dhe të verbër që të provojnë të ngjiten në majën më të lartë në botë pa një certifikatë valide mjekësore.

Një zyrtar i turizmit ka thënë se ligji i ri është rishikuar për të bërë sa më të sigurt alpinizmin dhe për të reduktuar vdekjet. Një numër rekord i alpinistëve kanë tentuar të ngjiten në Everest sivjet. Por mes tyre ka pasur shumë fatalitete, transmeton Albinfo.ch.

Numri i vdekjeve deri tani në sezon është gjashtë, përfshirë Min Bahadur Scherdan (85), që provoi të rikthente titullin për personin më të moshuar që arrin majën e botës.

Edhe alpinisti zviceran Ueli Steck i njohur si “Makina zvicerane” vdiq gjatë përpjekjeve për t’u ngjitur në Everest.

Sipas rregullave të reja, alpinistët e huaj duhet të përcillen nga një udhëheqës.