Skip to content

Irani kërkon nga SHBA-ja ta pranojë propozimin për rihapjen e Ngushticës së Hormuzit

Ministri i Jashtëm iranian, Abbas Araqchi ka deklaruar se propozimi i Iranit drejtuar Shteteve të Bashkuara për rihapjen e Ngushticës së Hormuzit brenda shtatë ditësh mbetet ende në tryezë.

Irani e pati paraqitur propozimin në mesin e shtatorit, pas dështimit të një armëpushimi të përkohshëm dhe më vonë, Teherani zyrtar konfirmoi se kishte marrë një përgjigje nga Washingtoni, por javën e kaluar zyrtarët iranianë thanë se negociatat kishin ngecur, pasi pala amerikane nuk kishte adresuar të shtatë kushtet e vendosura nga Irani për rihapjen e ngushticës, raporton Reuters.

“Qëndrimi ynë është i qartë dhe bazohet në propozimin shtatëditor që i kemi paraqitur SHBA-së. Ata kanë dërguar komentet e tyre, të cilat po i shqyrtojmë, por propozimi ynë mbetet në tryezë”, deklaroi Araqchi, gjatë vizitës në Bagdad, ku mori pjesë në një takim të Organizatës së Bashkëpunimit Islamik, transmeton albinfo.ch.

Ai akuzoi Washingtonin për mungesë sinqeriteti, duke shtuar se rruga drejt rihapjes së Ngushticës së Hormuzit është e qartë, nëse pala amerikane është e gatshme të veprojë me ndershmëri teksa ndër kushtet e Teheranit janë heqja e bllokadës amerikane ndaj porteve iraniane, shfuqizimi i sanksioneve amerikane mbi eksportet e naftës dhe përfundimi i armiqësive në të gjitha frontet rajonale.

Sipas Araqchit, nëse Washingtoni i pranon kushtet e Iranit, ngushtica mund të rihapet brenda gjashtë ditësh, ndërsa bisedimet do të rifillonin një ditë më pas.