Skip to content

Tirana në flakë: Molotovë, përplasje me policinë dhe zjarr në komisariat

Protesta e zhvilluar në kryeqytetin shqiptar në Tiranë është përshkallëzuar në përplasje të dhunshme mes protestuesve dhe forcave të Policisë, ndërsa janë raportuar incidente pranë Ministrisë së Brendshme dhe zjarr në ambientet e Komisariatit nr. 3.

Pranë Ministrisë së Brendshme, protestuesit kanë hedhur bomba molotov në drejtim të efektivëve të Policisë, të cilët janë kundërpërgjigjur me gaz lotsjellës në përpjekje për të shpërndarë turmën dhe për të vënë situatën nën kontroll.

Ndërkohë, disa ambiente të Komisariatit nr. 3 në Tiranë janë përfshirë nga zjarri. Në vendngjarje kanë mbërritur forca të shumta policie dhe një automjet zjarrfikës. Situata paraqitet veçanërisht shqetësuese, pasi në këtë komisariat ndodhen edhe ambiente paraburgimi.

Ngjarjet kanë rënduar situatën e sigurisë në kryeqytet, ku përplasjet mes protestuesve dhe forcave të rendit kanë vijuar në disa zona.

Deri në publikimin e këtij lajmi, nuk ka një bilanc të plotë zyrtar për dëmet e shkaktuara dhe personat e lënduar.