Kosova

Nata e tetë e protestës në Prishtinë, thirrje institucioneve të veprojnë

Organizatori i protestës “Jo në emrin tim”, Çlirim Haziri, u ka bërë thirrje institucioneve të Kosovës që të ndërmarrin hapa lidhur me kërkesat e protestuesve.

Në natën e tetë të protestës, e cila po mbahet në sheshin “Skënderbeu” në Prishtinë, Haziri kërkoi trajtimin dhe votimin e Projektligjit për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për Dhomat e Specializuara, si dhe mbështetje financiare për mbrojtjen e ish-krerëve të UÇK-së që po gjykohen në Hagë.

“Mosveprimi i institucioneve nuk mund të zgjasë pafund. […] Pritjes sonë po i vjen fundi. Durimi ynë po përfundon. Nga ky shesh u themi institucioneve: Veproni sa më shpejt!”, deklaroi Haziri.

Ai tha se protestuesit do të vazhdojnë tubimet derisa, sipas tij, kërkesat e tyre të marrin përgjigje nga institucionet.

Gjatë fjalimit, Haziri falënderoi qytetarët për pjesëmarrjen në protestat e zhvilluara gjatë tetë netëve. Ai e lidhi pjesëmarrjen me mbështetjen për ish-krerët e UÇK-së dhe kundërshtimin ndaj proceseve gjyqësore në Dhomat e Specializuara të Kosovës në Hagë.

Haziri foli gjithashtu për familjet e Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Jakup Krasniqit dhe Rexhep Selimit, duke theksuar, sipas tij, vështirësitë që sjell për familjarët qëndrimi i tyre larg Kosovës.

“Hashimi sonte nuk kthehet në shtëpi. Kadriu sonte nuk kthehet në shtëpi. Rexha sonte nuk kthehet në shtëpi. Jakupi sonte nuk kthehet në shtëpi”, tha Haziri.

Ai u shpreh se protestuesit synojnë të vazhdojnë mbështetjen për familjet e tyre dhe u përcolli atyre mesazhin se, sipas tij, “Kosova nuk ju ka harruar”.

Në fund të fjalimit, Haziri bëri thirrje për pjesëmarrje më të madhe në protestat e ardhshme dhe tha se tubimet do të vazhdojnë derisa kërkesat e protestuesve të marrin përgjigje.

Protesta po zhvillohet nën moton “Jo në emrin tim”.