Futboll
Momentet e paharrueshme të EURO 2024
Kampionati Evropian në Gjermani përfundoi të dielën me finalen që u zhvillua në Berlin ndërmjet Spanjës dhe Anglisë.
Këto janë disa momente të paharrueshme.
Fuellkrugu emocional
Nga perspektiva gjermane, dy momente e kanë shënuar Kampionatin Evropian. Më 23 qershor, në Frankfurt, ishte i pari. Formacioni titullar nuk kishte lojë të rrjedhshme dhe ishte në prag të humbjes nga Zvicra. Megjithatë, Zvicra nuk llogariti shumë në Niclas Fuellkrugun, që edhe një herë tjetër shkëlqeu kur hyri si zëvendësues. Në minutën e dytë të kohës shtesë, sulmuesi i Dortmundit u shkëput më së larti pas harkimit të David Raum dhe shënoi për 1:1. Ky barazim ia siguroi Gjermanisë vendin e parë në grup. Gjermania dhe Zvicra avancuan më pas deri në çerekfinale.
“Çmenduria” e Wirtzit në Stuttgart
Tifozët gjermanë kanë pak momente të mira nga 5 korriku. Në çerekfinale, Gjermania ishte në rrezik për t’u eliminuar pasi Dani Olmo kishte kaluar në epërsi Spanjën në minutën e 51-të. Por, përzgjedhësi Julian Nagelsmann futi lojtarët e duhur nga banka rezervë. Njëri prej tyre ishte Florian Wirtz, që e shpëtoi fituesen e Botërorit 2014 në minutën e 89-të, duke shënuar e duke dërguar ndeshjen në vazhdime. Sidoqoftë, spanjollët shënuan në minutën e fundit të vazhdimeve për të avancuar tutje.
Arnautoviqi në lot
Austria zhvilloi ndeshje mbresëlënëse në fazën grupore. Pasi humbi 1:0 nga Franca në ndeshjen e parë, me një autogol, Austria ktheu situatën në të mirën e vet dhe e mposhti Poloninë 3:1. Marko Arnautoviq e shënoi golin e fundit në stadiumin e stërmbushur, “Olympiastadion” të Berlinit. Por për sulmuesin austriak nuk ishte vetëm gol i rëndomtë. Pasi e konvertoi në gol penalltinë e minutës së 78-të, Arnautoviqi qau. Kjo fitore ndihmoi Austrinë e drejtuar nga Ralf Rangnick që të avancojë në një të tetën e finales.
Sabitzeri “ngriu” holandezët
Në ndeshjen e fundit të grupit, austriakët bënë befasinë e madhe. Mposhtën 3:2 Holandën dhe ishte mjaftueshëm që ta sigurojnë vendin e parë në grupin e vështirë. Holanda dhe Franca, që ishin në atë grup po ashtu, shkuan deri në gjysmëfinale të Evropianit.
Marcel Sabitzer e nisi një aksion të rrezikshëm. Vendosmëria e tij kulmoi në minutën e 80-të kur nga një kënd shumë i vështirë shënoi në mënyrë të përkryer. Futbollisti i Dortmundit shpërtheu në emocione në Berlin para shumë austriakëve.
Gunok bëri “pritjen e turneut”
Megjithatë, ëndrra e austriakëve u shua në fazën e një të tetës së finales. Turqia, që po ashtu kishte fituar respektin në këtë Evropian, mposhti Austrinë me rezultatin 2:1. Pasi ishte duke humbur 2:0, Austria sulmoi shumë dhe shënoi gol falë Michael Gregoritschut të Freiburgut.
Në fundin e ndeshjes, përkatësisht në minutën e 95-të, austriakët ishin afër që t’i gëzoheshin një goli. Christoph Baumgartner i Leipzigut u shfaq fare pranë portës kundërshtare dhe gjuajti me kokë. U mendua se Austria i barazoi shifrat, por portieri i Turqisë, Mert Gunok, në mënyrë të pabesueshme e devijoi topin jashtë. Kjo u vlerësua si “pritja e turneut”.
Autogoli më “qesharak” në Evropian
Krejtësisht disponim tjetër në mesin e tifozëve turq kishte pak ditë më herët. Në ndeshjen e dytë të fazës grupore të Kampionatit Evropian kundër favorites, Portugalisë, ekipi i drejtuar nga Vincenzo Montella pati ditë për t’u harruar.
Në minutën e 28-të qendërmbrojtësi Samet Akaydin u mundua ta pasonte topin te portieri Altay Bayindir. Ishte moment ku mungoi komunikimi dhe pozicionimi i mbrojtësit dhe portierit nuk ishte i duhuri. Rezultoi me autogol, në mesin e shumë të tjerëve në këtë Evropian. Por ky i shënuar në Dortmund mbetet më “qesharaku”.
32 sekonda nga dhembja dhe kënaqësia
Kapiteni i Kroacisë, Luka Modriq, ka përjetuar emocione të jashtëzakonshme në ndeshjen e fundit të tij në Kampionatin Evropian. Pas sinjalizimit për penallti pas prekjes së topit me dorë, ikona e Real Madridit e pati shansin që të shënonte për 1:0 në ndeshjen e fundit të fazës grupore ndaj Italisë, në minutën e 54-t. Italia ishte kampione e edicionit të kaluar të Evropianit.
Modriqi gjuajti jo mjaftueshëm fort sa për ta mposhtur portierin Ginaluigi Donnarumma. Lojtari me eksperiencë, megjithatë, nuk u dorëzua. Vetëm 32 sekonda pasi e humbi penalltinë, Modriqi e shënoi golin për 1:0 dhe gëzoi shumë tifozët kroatë.
Zaccagni e përfundoi ëndrrën e Modriqit.
Kroacia mendoi se kaloi në një të tetën e finales me ndeshjen në Leipzig, por një zëvendësues italian e shokoi Kroacinë në minutën e tetë të kohës shtesë.
Mattia Zaccagni, që luan për Lazion, u inkuadrua në minutën e 81-të dhe pati ndikim vendimtar pak më vonë. Ai gjuajti saktë e bukur nga zona për barazimin e rezultatit dhe eliminimin e Kroacisë.
Shqipëria me golin më të shpejtë në histori të Evropianit
Shqipëria në Gjermani luajti për herën e dytë në një Kampionat Evropian. Shqiptarët shfaqën shenja të mira dhe shënuan herët ndaj Italisë. Pas 23 sekondave lojë, “kuqezinjtë” realizuan ndaj Italisë, kampiones së Evropianit para tre vjetësh. Ishte goli më i shpejtë në histori të Kampionatit Evropian.
Mbrojtësi i majtë, Federico Dimarco, e dërgoi topin nga rivënia anësore në zonën e rrezikshme, kurse Nedim Bajrami e kuptoi situatën, arriti te topi dhe gjuajti fuqishëm prapa shpinës së portierit italian, Gianluigi Donnarumma. Por në fund, Shqipëria u mposht 2:1.
Rumania shkëlqen në Munih – veçanërisht me golin e Stanciut
Një tjetër autsajdere që shkëlqeu në fillim të Kampionatit Evropian ishte Rumania. Rumania e selektorit Edward Iordanescu luajti për mrekulli në ndeshjen e parë dhe fitoi 3:0 ndaj Ukrainës, për të avancuar më pas në fazën e një të tetës së finales.
Në minutën e 29-të, i gjithë stadiumi në Munih u dridh. Andriy Lunin pasoi gabimisht, ndërsa kapiteni i rumunëve, Nicolae Stanciu, gjuajti fuqishëm për gol të shkëlqyer. U vlerësua si njëri prej golave më të bukur.
Goli me gërshërë i Bellinghamit
Anglia dëshpëroi me paraqitje në fazën grupore dhe vazhdoi këtë ritëm kundër Sllovakisë në një të tetën e finales. Pasi u befasua nga Ivan Schranz në minutën e 25-të, Anglia ishte në disavantazh për kohë të gjatë. Anglezët, megjithatë, besuan në rikthim. Kur shumë tifozë u larguan nga stadiumi, Jude Bellingham shënoi me gërshërë në minutën e pestë të kohës shtesë, për ta dërguar ndeshjen në vazhdime. Harry Kane e shtroi rrugën për në finale me golin që e shënoi me të nisur vazhdimet.
Nëse dëshiron gol për rekord, bëjeni si duhet
Superylli i Spanjës, Lamine Yamal, theu disa rekorde në këtë Kampionat Evropian – përfshirë edhe atë si golashënuesi më i ri i Evropianëve. Ai e zgjodhi mënyrën më të mirë. Kur Spanja ishte duke humbur në gjysmëfinale nga Franca, rriti ritmin e lojës por ishte në presion. Kjo nuk u vërejt te Yamali. Në minutën e 21-të, Yamali që u bë 17-vjeçar të shtunën, nisi driblimin dhe menjëherë gjuajti drejt portës duke shënuar me ndihmën e shtyllës. Ishte supergol.
Ndërhyrja e Nachos
Pak para se Randal Kolo Muani ta kalonte nënkampionen botërore, Francën, në epërsi, sulmuesi i Paris Saint-Germainit pati një duel me qendërmbrojtësin e Spanjës, Nacho, ku mbeti i lënduar. Pas ndërhyrjes në të, Kolo Muani mbeti në tokë. Nacho ishte mbi të dhe me fuqi ia shtyu kokën në tokë. Por për shkak se u vlerësua se Nacho nuk kishte kontroll në trupin e tij, nuk u dha karton i kuq.
Duke u rrëzuar? Nuk ka problem për Xavin.
Në ndeshjen tjetër të gjysmëfinales së Kampionatit Evropian ndërmjet Holandës dhe Anglisë, “tulipanët” kaluan të parët në epërsi. Dhe ishte gol për t’u kujtuar. Xavi Simons, i kërkuar nga shumë ekipe në Evropë, përfshirë edhe Bayern Munichu, gjuajti në drejtim të portës teksa ishte duke u rrëzuar dhe e dërgoi topin në rrjetë.
Rreth 100 mijë tifozë holandezë ishin në Dortmund, në përkrahje të Holandës. Ata që arritën të futen në stadium, u “çmendën” nga gëzimi në minutën e shtatë. Por, kampionia e vitit 1988 u eliminua. Pranoi gol në minutën e 90-të dhe humbi 2:1. Ollie Watkins ishte shënues për “Tre Luanët”.
Goli i finales
Po luhej minuta e 86-të e finales mes Spanjës e Anglisë, të dielën. Marc Cucurella pasoi në zonë për rezervistin Mikel Oyarzabal. Ai goditi saktë për 2:1. Me këtë rezultat Spanja e fitoi finalen dhe iu gëzua titullit të katërt. Oyarzabal luajti pak, por u shfaq kur duhej. Dhe goli i tij futet në histori të Kampionateve Evropiane./Kicker
E-Diaspora
-
Kurti takoi të rinjtë nga diaspora që janë pjesë e Programit për Diplomaci Qytetare Pas shkëmbimit të tyre në ngjarjen përmbyllëse të programit për bursistët e gjeneratës së dytë në...
-
Rita Ora pritet të prezantojë MTV Europe Music Awards
-
«Mednest24», spitex-i që flet shqip në Zvicër
-
Ramë Dardania ekspozon në zemrën e qytetit të vjetër të Gjenevës, ‘Faces’, në La Galeri
-
Vlore Krug: Arsimi është më shumë se vetëm shkolla
Jeta në Austri
-
Austri: Sindikata bën thirrje për rritje page në tregti dhe hekurudha Sindikata Vida po bën thirrje për paga më të mira ndërsa negociatat e negociatave kolektive fillojnë...
-
Ligjet e rrepta të shtetësisë mund të përjashtojnë miliona nga votimi në zgjedhjet e ardhshme të Austrisë
-
Vjena do të rrisë subvencionet për dritat e rrugëve të Krishtlindjeve
-
Mbahet Kuvendi Zgjedhor i PSHDK-së në Vjenë, Anton Marku zgjidhet kryetar
-
Universitetet e Austrisë përballen me rënie të numrit të studentëve, ndërsa presionet financiare rriten