Xhudisti kosovar Milot Gashi ka fituar sot medaljen e bronztë në Kupën Evropiane për kadetë, që po mbahet në Selanik të Greqisë, përcjell albinfo.ch.
Gashi garoi në kategorinë deri në 66 kilogramë, ku e nisi paraqitjen me tri fitore radhazi. Në xhiron e parë mposhti me ippon grekun Nikolaos Tosounidis, ndërsa në të dytën triumfoi me të njëjtën mënyrë ndaj italianit Francesco Robert Di Benedetto.
Në xhiron e tretë, Gashi regjistroi një tjetër fitore me ippon, këtë herë ndaj Ariel Yehuda Cohen.
Në çerekfinale u ndal nga moldavi Vladislav Moga, duke vazhduar garën përmes repasazhit. Aty mposhti me ippon grekun Anastasios Kiourtzidis dhe siguroi përballjen për medaljen e bronztë.
Në duelin vendimtar, xhudisti kosovar triumfoi me yuko ndaj serbit Luka Dangubic, duke e përmbyllur garën me pesë fitore dhe një humbje.
Sipas njoftimit të Federatës së Xhudos së Kosovës, Gashi u udhëhoq në këtë garë nga Majlinda Kelmendi dhe Kushtrim Gashi./Albinfo.ch