Lara Colturi ka shënuar sot një sukses historik për sportin shqiptar, duke triumfuar në sllallomin e Kupës së Botës në Gurgl të Austrisë, përcjell albinfo.ch.
Kjo është fitorja e parë në karrierën e skiatores që përfaqëson Shqipërinë dhe njëkohësisht triumfi i parë i vendit në Kupën e Botës në skitë alpine.
Colturi ishte e dyta pas lëshimit të parë, por arriti të ngjitej në krye të renditjes përfundimtare. Suedezja Sara Hector përfundoi e dyta, 27 të qindtat pas saj, ndërsa bashkëkombësja e saj, Anna Swenn Larsson, u rendit e treta, me 30 të qindtat diferencë.
Fitorja vjen pas nëntë podiumeve të mëparshme të Colturit dhe dy vendeve të dyta në nisje të këtij sezoni, në Sölden dhe Levi.
Skiatorja, e cila mbushi 20 vjeç vetëm gjashtë ditë më parë, e përjetoi me emocion këtë arritje, duke e cilësuar si diçka që ende i dukej e pabesueshme./Albinfo.ch