Ukraina

Mbi 16 mijë fëmijë ukrainas janë marrë me dhunë nga forcat ruse

Autoritetet ukrainase thonë se trupat ruse kanë rrëmbyere më shumë se 16 mijë fëmijë ukrainas, duke i zhvendosur në Rusi ose në territoret ukrainase të kontrolluara nga Moska. Deri më 24 mars vetëm 324 fëmijë janë bashkuar me familjarët e tyre, përfshirë djalin e Olena Dudnik, shkruan Zëri i Amerikës, përcjell albinfo.ch.

Olena Dudnik është nga qyteti Izium në rajonin e Kharkivit në Ukrainë. Prillin e vitit të kaluar, kur trupat ruse pushtuan qytetin, djali i saj 17-vjeçar Andriy u plagos rëndë nga bombardimet. “E futën në një dhomë dhe një doktor tha: ‘Do ta operojmë dhe mund të vini ta shihni nesër’. Të nesërmen, kur mbërrita, më thanë se djali im ishte dërguar në Moskë”, tregon ajo për Zërin e Amerikës, përcjell albinfo.ch.

Olena thotë se pyeste mjekët rusë për djalin e saj çdo ditë. “Gjatë gjithë kohës më thoshin se nuk kishin informacion. Unë qaja dhe iu thoja: ‘Ju lutem, më kuptoni, keni edhe ju fëmijë. Më tregoni të paktën nëse është gjallë apo jo’”, tregon ajo për Zërin e Amerikës, përcjell albinfo.ch.

Një muaj e gjysmë më vonë, Dudnik mori një mesazh. “Ishte një fotografi që ishte bërë virale në internet, një fotografi e Andriyt me përshkrimin se ky fëmijë ukrainas ndodhet në një spital në Moskë. Kishte dhe një adresë të spitalit”, tregon ajo për Zërin e Amerikës, përcjell albinfo.ch.

Komisionerja ukrainase për të Drejtat e Fëmijëve thotë se shpesh e vetmja mundësi që prindërit të marrin fëmijën nga Rusia është që të shkojnë personalisht atje. “Kjo është shumë e rrezikshme. Këta prindër nuk janë 100% të sigurt se do të bashkohen me fëmijën e tyre”, thotë Daria Gerasymchuk. Sipas zyrtarëve ukrainas, më shumë se 16 mijë fëmijë ukrainas janë zhvendosur me forcë në Rusi ose në territoret ukrainase të kontrolluara nga Rusia. “Ne kemi marrë këtë numër aplikimesh për këta fëmijë. Këto aplikime ndonjëherë vijnë nga prindër, të afërm të tjerë, autoritetet lokale, ose thjesht nga dëshmitarë okularë që kanë informacion për zhvendosjen me forcë të një fëmije”, thotë Gerasymchuk, Komisionerja për Zërin e Amerikës, përcjell albinfo.ch.

Autoritetet ruse nuk e mohojnë se i marrin fëmijët nga territoret ukrainase, por nuk e quajnë atë zhvendosje me forcë. Përfaqësuesi i përhershëm i Rusisë në OKB, Vasiliy Nebenzya, tha se largimi është bërë për të mbrojtur fëmijët nga rreziku i operacioneve ushtarake. Pavarësisht kësaj, Gjykata Ndërkombëtare Penale lëshoi një urdhër arresti për presidentin rus, Vladimir Putin, duke e akuzuar atë për përgjegjësi personale për dëbimin dhe transferimin e paligjshëm të fëmijëve nga Ukraina, shkruan Zëri i Amerikës, përcjell albinfo.ch.