Skip to content

Mbi 1,000 protestues për median, në Bernë

Në muajt e fundit, disa kompani mediatike zvicerane kanë pushuar nga puna dhjetëra punonjës

Mbi 1,000 njerëz demonstruan kundër shkurtimeve të vendeve të punës në sektorin e medias në Bundesplatz në Bernë, nën moton “Më pak Gazetari – Më pak Demokraci”.

Organizatorët deklaruan në një njoftim për shtyp se morën pjesë afërsisht 2,000 persona, transmeton albinfo.ch,

Pas pushimeve nga puna të javëve të fundit, Aleanca e Medias shprehu shqetësim për rolin e medias si pushteti i katërt në Zvicër. Ajo synon të rrisë ndërgjegjësimin e publikut dhe të ndalojë rënien graduale të gazetarisë, raporton srf.ch. Në muajt e fundit, disa kompani mediatike zvicerane kanë pushuar nga puna dhjetëra punonjës.

Një folës theksoi rëndësinë e medias për kohezionin e Zvicrës dhe rajoneve të saj veç e veç. Gazetaria, argumentoi ai, duhet të jetë sfiduese dhe të ekspozojë të vërtetat. Nëse e bën këtë, nuk pëlqehet. “Kjo është arsyeja pse gazetarisë i mungon një lobim,” deklaroi ai.

Në pankartat dhe posterat e përdorura, veç tjerash mund të lexoheshin slogane si: “Fakte në vend të frikës”, “Asnjë informacion pa gazetarë”, “Gazetaria nuk është për dividentë” dhe “ChatGPT nuk ishte i pranishëm”. “Ne tashmë jemi”, etj.

Stephanie Vonarburg, nënkryetare e sindikatës Syndicom, bëri thirrje për mbështetje më të fortë për gazetarinë, pasi situata është e pasigurt: “Për 20 vjet, ka pasur shkurtime masive të përsëritura të vendeve të punës.”

Shumë redaksi po arrijnë limitet e tyre në aspektin e kapacitetit, punonjësit janë të mbingarkuar me punë dhe standardet profesionale po bëhen gjithnjë e më të vështira për t’u përmbushur, përcjell albinfo.ch. Kjo në fund të fundit ka pasoja për pjesëmarrjen demokratike në këtë vend, tha Vonarburg.