Kosova

LDK sërish në krizë të brendshme, kërkohet dorëheqja e Abdixhikut

LDK përçahet pas zgjedhjeve, tri degë kërkojnë largimin e Abdixhikut

Lidhja Demokratike e Kosovës po përballet me përçarje të brendshme pas rezultatit në zgjedhjet e 7 qershorit. Tri degë të partisë – Peja, Lipjani dhe Dega e Dytë në Prishtinë – kanë kërkuar dorëheqjen e kryetarit Lumir Abdixhiku, duke e konsideruar atë përgjegjës për rezultatin zgjedhor dhe duke kërkuar reflektim politik, përcjell albinfo.ch.

E para reagoi dega e LDK-së në Pejë, e cila, pas një mbledhjeje të kryesisë, kërkoi dorëheqjen e Abdixhikut si “akt moral dhe politik”, duke vlerësuar se përgjegjësia për rezultatin duhet të bartet nga udhëheqja e partisë.

Vetëm pak minuta më vonë, edhe dega e Lipjanit doli me të njëjtën kërkesë, duke e cilësuar dorëheqjen si standard të përgjegjësisë politike dhe reflektim ndaj mesazhit që qytetarët dhanë përmes votës.

Në përgjigjen e tij, Abdixhiku i cilësoi këto reagime si të koordinuara dhe refuzoi të japë dorëheqje. Ai rikujtoi se kishte marrë votëbesimin e anëtarësisë më 31 janar dhe, në vend të largimit të tij, kërkoi dorëheqjen e kryetarëve të degëve në Pejë dhe Lipjan, Gazmend Muhaxherit dhe Imri Ahmetit.

Kryetari i LDK-së shkoi edhe më tej, duke akuzuar disa figura brenda partisë për përpjekje të qëllimshme për ta përçarë LDK-në.

“Nuk do të lejoj që projektet e ndarjeve të LDK-së nga sabotues të qëllimshëm të marrin formë. Ato kanë dështuar më parë dhe do të dështojnë sërish”, u shpreh Abdixhiku, duke e mbyllur reagimin me fjalët: “Si nuk u ngopën kurrë?!”

Më pas, edhe Dega e Dytë e LDK-së në Prishtinë kërkoi dorëheqjen e tij, duke paralajmëruar se partia po rrëshqet drejt margjinalizimit politik dhe po humb peshën e saj në skenën politike të Kosovës.

Ndërkohë, nënkryetarja e LDK-së, Doarsa Kica-Xhelili, bëri thirrje për reflektim dhe unitet, duke theksuar se rezultati zgjedhor duhet ta bashkojë partinë dhe jo ta përçajë atë.

Përplasjet në LDK u komentuan edhe nga përfaqësues të partive të tjera. Deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Ilir Kërçeli, ironizoi situatën duke shkruar se “LDK-ja merret me gazin amerikan, ndërkohë që nuk po arrin ta mbajë as Gazin e Pejës”.

Edhe koordinatorja e Komiteteve në LVV, Dejona Mihali, reagoi duke pretenduar se zhvillimet brenda LDK-së janë pjesë e një plani të organizuar nga figura të caktuara politike.

Në zgjedhjet e 7 qershorit, LDK-ja u rendit forca e tretë politike me 16.69 për qind të votave, duke siguruar 18 mandate në Kuvend, tre më shumë se në legjislaturën e kaluar. Megjithatë, rezultati ka hapur debat të brendshëm për drejtimin e partisë dhe përgjegjësinë e lidershipit./Albinfo.ch