Kosova

LDK-ja në pritje për ta votuar një president konsensual

LDK-ja shpreh gatishmërinë për ta mbështetur një president konsensual

Lidhja Demokratike e Kosovës ka ndryshuar qëndrimin e saj lidhur me negociatat për formimin e institucioneve, duke hequr dorë nga të gjitha kërkesat për pjesëmarrje në pushtet dhe duke premtuar mbështetje për zgjedhjen e një presidenti konsensual, transmeton albinfo.ch.

Vendimi është bërë i ditur nga kryetari i LDK-së, Lumir Abdixhiku, pas mbledhjes së grupit parlamentar të partisë, ku ka theksuar se LDK-ja nuk do të kërkojë asnjë post qeveritar dhe do të mbetet në opozitë.

“LDK-ja heq dorë nga çdo kërkesë për pjesëmarrje në qeveri. S’e duam asnjë ministri. Le t’i mbajë Lëvizja Vetëvendosje. Heqim dorë nga kërkesa për kryetar të Kuvendit dhe, më e rëndësishmja, edhe nga kërkesa për të udhëhequr postin e presidentit”, ka deklaruar Abdixhiku.

Sipas tij, partia është e gatshme të kontribuojë në tejkalimin e krizës politike dhe të mbështesë zgjedhjen e një presidenti që mbron interesat e shtetit.

“Jemi të gatshëm të bisedojmë për zgjidhjen e një presidenti që mbron interesat e Republikës”, ka thënë ai.

Abdixhiku ka kritikuar ofertën e Lëvizjes Vetëvendosje gjatë negociatave, duke thënë se LDK-së i janë ofruar tri ministri, ndërsa pozitat e tjera do të mbeteshin nën kontrollin e partisë fituese.

“Meqë LVV-ja po vlerëson se s’ka nevojë për LDK-në si partnere, s’do ta ketë as si dekor. Në rrethana të tilla, do të qëndrojmë në opozitë, ku qytetarët na kanë vendosur dhe do ta ushtrojmë këtë përgjegjësi me dinjitet”, ka theksuar ai.

Kryetari i LDK-së ka bërë të ditur se partia e tij ka vetëm një kusht për presidentin e ardhshëm: ai duhet të jetë jopartiak dhe të mbrojë Kushtetutën dhe interesat e Republikës së Kosovës.

“Ta zgjedhim një president që i shërben Republikës, jopartiak dhe jo president partie”, ka deklaruar Abdixhiku.

Ndërkohë, ish-presidentja Vjosa Osmani ka mbështetur vendimin e LDK-së, duke theksuar se prioritet duhet të jetë stabiliteti institucional dhe interesi i shtetit.

Kriza politike në vend vazhdon edhe pas përfundimit të afatit të përcaktuar nga Gjykata Kushtetuese për konstituimin e Kuvendit. Deri më tani, deputetët kanë bërë betimin, por procesi ka mbetur i bllokuar në pikën e zgjedhjes së kryetarit të Kuvendit.

Lëvizja Vetëvendosje ka argumentuar se konstituimi i Kuvendit duhet të shoqërohet me një marrëveshje politike për zgjedhjen e presidentit, ndërsa partitë opozitare kanë kërkuar vazhdimin e menjëhershëm të seancës konstituive. /Albinfo.ch