Kosova

Lajçak viziton sot Kosovën

Takim me Osmanin dhe Kurtin, në fokus shtensionimi i situatës në Veri

Sot, i dërguari i posaçëm i Bashkimit Evropian për dialogun, Mirosllav Lajçak, do të vizitojë Kosovën, në përpjekje për të shtensionuar situatën në veri të Kosovës. Ai pritet të vizitojë edhe Serbinë, për të bindur palët që të kthehen në dialog, përcjell albinfo.ch.

Bëhet e ditur se Lajçak do të takohet me presidenten Vjosa Osmani dhe kryeministrin Albin Kurti.

“Në orën 15:00, Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani, pret në takim Përfaqësuesin Special të BE-së, Miroslav Lajçak”, thuhet në njoftimin e zyrës për informim të Presidencës.

Kjo është vizita e dytë e Lajçakut brenda një muaji, pasi që ai në fillim të qershorit bëri një vizitë bashkë me emisarin amerikan për Ballkanin, Gabriel Escobar.

BE-ja vazhdon të përsërisë thirrjet për të dyja palët që të bëjnë hapa të menjëhershëm për shtensionimin e situatës dhe të kthehen në dialogun për normalizimin e raporteve, që e ndërmjetëson Brukseli. Këto thirrje u bënë edhe gjatë samitit të fundit të liderëve të BE-së që u mbajt javën e kaluar në Bruksel.

Tensionet në veriun e Kosovës, të banuar me shumicë serbe, nisën më 26 maj, kur kryetarët e rinj shqiptarë të Zveçanit, Zubin Potokut dhe Leposaviqit, hynë në ndërtesat komunale nën përcjelljen e Policisë së Kosovës.

Serbët kundërshtuan këtë dhe që atëherë po zhvillojnë protesta duke kërkuar tërheqjen e kryetarëve të rinj dhe të njësive speciale policore. Situata në veri vazhdon të jetë e tensionuar pasi që grupet kriminale vazhdimisht po provokojnë situatën, ku tash e sa herë po raportohet për shpërthime në veri.

Kujtojmë po ashtu se protestuesit serbë kanë sulmuar Policinë e Kosovës, KFOR-in dhe mediat.