Kryeministri në detyrë i Kosovës, Albin Kurti, ka deklaruar se përfundimi i procesit të numërimit të votave ka konfirmuar mbështetjen e qytetarëve për Lëvizja Vetëvendosje dhe se rezultatet e zgjedhjeve të 7 qershorit treguan se nuk kishte nevojë për mbajtjen e zgjedhjeve të reja, përcjell albinfo.ch.
Përmes një video-mesazhi të publikuar në rrjetet sociale, Kurti falënderoi qytetarët që votuan brenda dhe jashtë Kosovës, si dhe aktivistët e subjektit të tij politik për angazhimin gjatë gjithë procesit zgjedhor.
Sipas tij, rezultati përfundimtar ka rikonfirmuar Vetëvendosjen si partinë e parë në vend me 53 deputetë në Kuvendin e Kosovës.
“Rezultati i zgjedhjeve të 7 qershorit tregoi që nuk kishim nevojë për zgjedhje të reja, sepse rezultati nuk ka ndryshuar dhe aq. Si Vetëvendosje jemi rikonfirmuar si partia e parë, me 53 deputetë, dhe tash presim certifikimin e rezultatit të zgjedhjeve në mënyrë që të nisim punën në drejtim të formimit të institucioneve të reja, për të vazhduar punët e mira dhe projektet zhvillimore”, është shprehur Kurti.
Ai shtoi se pas certifikimit të rezultateve, fokusi do të jetë formimi i institucioneve të reja dhe vazhdimi i projekteve zhvillimore të qeverisë./Albinfo.ch