Kosova

Kurti: Remitencat e diasporës, nga ndihmat për mbijetesë, po kthehen në investime ekonomike

Të hënën, më 16 janar, në Rüschlikon të Cyrihut  Instituti GDI – Gottlieb Duttweiler Institute organizoi një konferencë mbi investimet në Kosovë. I ftuar kryesor i konferencës ishte kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, i cili kishte ardhur me delegacionin e tij qeveritar, ku bënte pjesë edhe ministrja e Ekonomisë, Artane Rizvanolli.

Konferenca është zhvilluar një ditë para se kryeministri Kurti të shkonte në Davos, ku ai dhe presidentja Osmani marrin pjesë, krahas dhjetëra burrështetasve botërorë, në në Forumin e njohur Ekonomik të Davosit.

Në një debat të ngjeshur me mikpritësit dhe organizatorët, në panel dhe duke iu përgjigjur pjesëmarrësve, kryesisht investitorë potencialë zviceranë, kryeministri Kurti, ministrja Rizvanolli dhe stafi i tyre kanë dhënë informacione të detajuara mbi temat specifike të ekonomisë dhe investimeve. Ata kanë folur për potencialin, perspektivat dhe problemet e ekonomisë kosovare aktualisht.

Ndër sektorët ku kjo ekonomi po tregon suksese reale janë përmendur zhvillimi i hovshëm i shërbimeve IT, pastaj industrisë së drurit dhe të mobileve etj. Sa i përket IT, madje është thënë se Kosova është mbi mesataren e vendeve që e rrethojnë.

Në zhvillimet e konferencës kanë marrë pjesë edhe: Luan Dalipi, shef i stafit të kryeministrit, Gearda Demiraj, këshilltare politike në Misnitrinë e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor dhe Lulëzon Jagxhiu, këshilltar i kryeministrit për IT.

Debatin e ka drejtuar Bobby Leu, nga GDI.

Platforma mediale albinfo.ch ka zhvilluar me këtë rast një intervistë të shkurtër me kryeministrin Kurti, ku ai flet kryesisht për qasjen e qeverisë së drejtuar nga ai në raport me diasporën.

Albinfo.ch: Në ranglista të ndryshme botërore mund të shihet se Kosova në këto dy vjet ka shënuar ulje sa i përket shkallës së korrupsionit dhe ngritje lidhur me klimën për investime. Por, a është përkthyer me sukses kjo klimë e përmirësuar në shtimin e investimeve nga jashtë?

A. Kurti: Sigurisht që është reflektuar. Po jua ilustroj me këtë faktet në vijim: Në vitin 2021 krahasuar me vitin 2020 investimet nga Zvicra janë rritur për 55 për qind, ndërsa në vitin 2022 në krahasim me vitin 2021 ato janë rritur edhe për 44 për qind dhe ky është një tregues në këtë drejtim që vlen edhe për shtetet e tjera. Zvicra paraqet investitorin më të madh në Kosovë, pas Gjermanisë.

Albinfo.ch: Platforma jonë i takon diasporës, prandaj na intereson të dimë se si ka shkuar puna me tërheqjen e investimeve nga diaspora. Gjegjësisht, a ka tregues se remitencat po kalojnë nga faza e blerjes së patundshmërive dhe e konsumit, në investime të vërteta?

A. Kurti: Në Kosovë janë duke u rritur edhe remitencat, edhe eksportet, edhe investimet dhe s`do mend se një pjesë e konsiderueshme e investimeve vjen prej kalimit të remitencave si dërgesa për mbijetesë sociale, në investime për zhvillim ekonomik. Në anën tjetër, duhet të shikohet këtu efekti pozitiv i faktit se Kosova si një vend i orientuar gjithnjë më shumë nga eksporti, është duke rritur eksportet. Ta zëmë, në vitin 2022 eksportet janë rritur pikërisht për faktin se në Kosovë është investuar më shumë në përgjithësi dhe nga diaspora, në veçanti.

Albinfo.ch: Zgjedhja e qeverisë suaj i detyrohet në masë të mirë edhe diasporës. Çfarë ka ndryshuar në trajtimin e diasporës gjatë kësaj periudhe. A mund të na përmendni ndonjë arritje në këtë drejtim?

A. Kurti: Ne i kemi inkuadruar dhjetë ekspertë profesionistë, shumë të shquar e të rinj nga diaspora, me konkurs të hapur e të drejtë, në Ministrinë e Punëve të Jashtme dhe të Diasporës, sepse konsiderojmë se Kosova, përveç ambasadorëve që i ka gjithandej, vazhdon ta ketë ambasadore kryesore mërgatën tonë, e cila e forcon edhe shtetin e Kosovës, por dhe kombin shqiptar në botë. Prandaj, këta 10 ekspertë të rinj që janë inkuadruar në qeverinë tonë janë një model që do të vazhdojmë ta kultivojmë edhe në të ardhmen.

Albinfo.ch: Çfarë u bë me nismën tuaj për kthimin e mjekëve nga diaspora?

A. Kurti: Kemi po ashtu edhe shenja të kthimit të mjekëve dhe ky është një sinjal shumë i mirë. Kishte para disa ditësh një lajm për vendimin që të kthehen 15 mjekë nga diaspora në Kosovë. Është sinjal i mirë, sepse në njërën anë dëshirojmë të zvogëlojmë emigrimin e të rrisim punësimin, por jemi shumë mirënjohës për ata profesionistë shëndetësorë që po kthehen për t`i kontribuuar shëndetësisë publike në Kosovë.

(Fotot: Armend Berisha)