Kosova

Kurti paralajmëron bisedime për Qeverinë, Kuvendin dhe presidentin

Pas certifikimit të rezultateve, Kurti nis konsultimet për institucionet e reja

Kryeministri në detyrë i Kosovës, Albin Kurti, ka bërë të ditur se pas certifikimit të rezultateve të zgjedhjeve të 7 qershorit do të nisin diskutimet për formimin e institucioneve të reja të vendit, përcjell albinfo.ch.

Gjatë mbledhjes së Qeverisë në detyrë, Kurti tha se vullneti i qytetarëve duhet të përkthehet në institucione funksionale dhe demokratike, duke përmendur konstituimin e Kuvendit, formimin e qeverisë së re dhe zgjedhjen e presidentit ose presidentes së vendit.

“Porsa të certifikohet rezultati i zgjedhjeve, do të nisim punën dhe diskutimet për formimin e institucioneve të reja: konstituimin e legjislaturës së njëmbëdhjetë të Kuvendit, formimin e Qeverisë së re dhe zgjedhjen e presidentit apo presidentes”, deklaroi Kurti.

Lëvizja Vetëvendosje ka siguruar 53 ulëse në Kuvend dhe, së bashku me deputetët e komuniteteve joserbe, mund të sigurojë votat e nevojshme për konstituimin e Kuvendit dhe formimin e qeverisë. Megjithatë, për zgjedhjen e presidentit kërkohet një konsensus më i gjerë politik.

Pas mbledhjes së Qeverisë, ministri në detyrë i Administrimit të Pushtetit Lokal, Elbert Krasniqi, u shpreh se formimi i qeverisë së re mund të realizohet pa nevojën e marrëveshjeve me partitë opozitare.

Sipas tij, mbështetja e Grupit Multietnik, i përbërë nga tetë ose nëntë deputetë, është e mjaftueshme për krijimin e shumicës parlamentare të nevojshme për votimin e qeverisë së re.

“Kjo garanton një numër të mjaftueshëm për votimin e qeverisë së re të Republikës së Kosovës”, tha Krasniqi.

Në anën tjetër, deputeti i zgjedhur i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj, ka përjashtuar çdo mundësi bashkëpunimi me Vetëvendosjen. Ai tha se opozita duhet të bashkohet dhe të dalë me një kandidat të përbashkët për president, në mënyrë që të ndikojë në zhvillimet politike në vend.

Haradinaj vlerësoi se pa një koordinim mes partive opozitare, Kosova rrezikon të përballet sërish me zgjedhje të reja.

Ndërkohë, Kurti ka përsëritur qëndrimin se vendi nuk kishte nevojë për zgjedhje të parakohshme, duke theksuar se rezultati i 7 qershorit dëshmoi se raportet e forcave politike kanë mbetur pothuajse të pandryshuara.

Rezultatet përfundimtare të zgjedhjeve ende nuk janë certifikuar për shkak të procedurave të ankesave dhe rinumërimit në disa vendvotime. Pas përmbylljes së këtij procesi, pritet të nisë zyrtarisht faza e formimit të institucioneve të reja të Kosovës. /Albinfo.ch