Kosova
Kurti nga Berlini: Kosova do të lejojë lëvizjen e lirë të qytetarëve të Bosnjës nga 1 janari
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, tha se nisur nga 1 janari i vitit të ardhshëm, Kosova, njëanshëm, do të lejojë lëvizjen e lirë për të gjithë poseduesit e letërnjoftimeve të Bosnjë e Hercegovinës.
Përkundër marrëveshjeve të arritura, qytetarët e të dyja vendeve, aktualisht, duhet të pajisen me viza për të lëvizur në vendet respektive.
Duke folur në samitin e Procesit të Berlinit, që po mbahet në kryeqytetin gjerman, Kurti tha se ky projekt ka sjellë përparim të rëndësishëm deri më tash, por se duhen “edhe më shumë veprime”.
“Ndërsa entiteti i Republikës Sërpska refuzon ratifikimin e marrëveshjes për lëvizje të lirë me letërnjoftime – të cilën vendi im ka qenë i pari në rajon që e ka ratifikuar në Parlament – unë kam vendosur t’i jap fund pritjes. Duke filluar nga 1 janari i vitit të ardhshëm, Republika e Kosovës, në mënyrë të njëanshme, do të lejojë lëvizjen e lirë për mbajtësit e letërnjoftimeve të Bosnjë e Hercegovinës”, tha Kurti.
“Lidhshmëria është thelbësore për Procesin e Berlinit”, tha ai.
I lansuar në vitin 2014 nga kancelarja e atëhershme gjermane, Angela Merkel, ky proces shënon sivjet dhjetë vjet.
Synimi i samiteve të tij, të cilat mbahen çdo vit, është që ta rrisin bashkëpunimin mes vendeve të Ballkanit Perëndimor – Kosovës, Shqipërisë, Serbisë, Bosnjë e Hercegovinës, Malit të Zi dhe Maqedonisë së Veriut – dhe gradualisht t’i afrojnë ato më pranë BE-së.
Nga gjashtë shtetet e rajonit, vetëm Kosova nuk është kandidate zyrtare për anëtarësim në BE.
Në kuadër të Procesit të Berlinit, ndër vite, janë bërë disa marrëveshje dhe deklarata, por shumë prej tyre kanë mbetur pa u zbatuar.
Marrëveshja për lëvizje të lirë me letërnjoftime mes vendeve të Ballkanit Perëndimor është arritur në vitin 2022.
Derisa qytetarët e Kosovës mund të lëvizin me letërnjoftime në Maqedoni të Veriut, Shqipëri, Serbi dhe Mal të Zi, ata duhet të pajisen me viza për të shkuar në Bosnje e Hercegovinë. Ngjashëm, edhe ata të Bosnjës që duan të hyjnë në Kosovë.
Kjo, për faktin se Bosnje e Hercegovina, e cila nuk e njeh shtetin e Kosovës, nuk e ka ratifikuar ende marrëveshjen për lëvizje të lirë.
Duke folur në hapje të ngjarjes në Berlin, kancelari gjerman, Olaf Scholz, tha se Procesi i Berlinit “është instrumenti më i mirë jo vetëm për bashkëpunimin rajonal, por edhe për përshpejtimin e integrimit evropian të të gjitha vendeve të Ballkanit Perëndimor”.
“Bashkimi Evropian është i kompletuar me Ballkanin Perëndimor si pjesë të tijën”, tha ai.
Scholz paralajmëroi nënshkrimin e dy dokumenteve të reja në samitin e sotëm, që, siç tha, do ta bëjnë jetën e njerëzve më të lehtë, transmeton albinfo.ch.
I pari, sipas tij, ka të bëjë me një plan të ri veprimi për tregun e përbashkët rajonal, ndërsa i dyti me një marrëveshje të re për lëvizjen, që përfshin edhe qasjen në arsimin e lartë.
Scholz, po ashtu, u bëri thirrje Kosovës dhe Serbisë që të angazhohen më aktivisht në normalizimin e marrëdhënieve mes tyre, duke u zotuar se do të punojë edhe personalisht me të dyja vendet.
“Na duhet një dinamikë e re… do t’u thosha miqve nga Beogradi dhe Prishtina sot: Ju lutem mos lejoni që e kaluara t’ju frenojë në rrugën drejt një të ardhmeje paqësore dhe prosperuese. Jam i bindur se kjo e ardhme gjendet në BE dhe ekziston vetëm një rrugë që çon atje: zbatimi i plotë i marrëveshjeve të arritura”, tha Scholz gjatë fjalës hyrëse.
“Unë do të vazhdoj të angazhohem personalisht me të dyja vendet, për t’u siguruar se ato e shfrytëzojnë këtë mundësi”, shtoi ai.
Presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, tha se në 10-vjetorin e Procesit të Berlinit, “është mirë të jemi në Berlin me partnerët tanë nga Ballkani Perëndimor”.
“T’i shikojmë arritjet tona në të kaluarën, por le të shohim sidomos përpara. Drejt një të ardhmeje ku të gjashtë partnerët e Ballkanit Perëndimor janë pjesë e Unionit tonë”, shkroi von der Leyen në platformën X.
“Një dekadë vullnet, punë e angazhim për ta afruar rajonin tonë më shumë drejt BE-së”, shkroi më herët në Facebook kryeministri i Kosovës, Kurti./ Radio Evropa e Lirë
E-Diaspora
-
Elbenita Kajtazi sonte ngjitet në skenën e Operës së Cyrihut me një tjetër rol të Mozartit Sopranoja shqiptare njoftoi se është gati të interpretojë një tjetër Mbretëreshë të Mozartit në "Opernhaus Zürich",... -
Itali
27-vjeçari shqiptar humb jetën në Itali pas një aksidenti tragjik në vendin e punës -
Protesta e katërt në Gjenevë: Diaspora shqiptare vazhdon mobilizimin, “Shqipëria nuk është në shitje” -
Gjermani/Francë
Sot u jepet lamtumira e fundit dy vajzave shqiptare nga diaspora që humbën jetën në aksidente tragjike -
BQK: Ekonomia e Kosovës pritet të ngadalësohet, inflacioni të rritet në 6.7% gjatë vitit 2026
Jeta në Austri
-
Gjykata austriake shpall të paligjshme tarifat e check-in dhe të imbarkimit në Ryanair Gjykata Supreme e Austrisë (OGH) ka rrëzuar një gamë të gjerë klauzolash tarifash të përdorura nga... -
20,000 persona kanë nënshkruar peticion për të hequr karrocat e kuajve nga Vjena -
Austri
Fejton Sylejmani diplomon me sukses në Universitetin e Salzburgut, fiton titullin Master i Arteve -
Temperatura rekorde edhe në Vjenë -
Kampionati botëror: Austria, në kërkim të një vendi për në fazën eliminatore











