Kryeministri në detyrë i Kosovës, Albin Kurti, ka deklaruar se komunikimet me partitë politike do të nisin menjëherë pas certifikimit të rezultateve të zgjedhjeve të 7 qershorit, përcjell albinfo.ch.
Ai u përgjigj shkurt para gazetarëve pas hapjes së Edicionit të 8-të të Festivalit Multikulturor dhe Ekspozitës Mobile “KRAH”, duke theksuar se procesi politik do të vazhdojë sapo të përmbyllen procedurat zgjedhore.
“Po sa të certifikohet rezultati do t’i fillojmë komunikimet menjëherë”, u shpreh Kurti.
Ndërkohë, Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ) është në pritje të përfundimit të shqyrtimit të ankesave për procesin zgjedhor, para se të shpallë rezultatet përfundimtare të zgjedhjeve të parakohshme për Kuvendin e Kosovës.
Sipas zëdhënësit të KQZ-së, Valmir Elezi, shpallja e rezultateve varet nga përmbyllja e procedurave ankimore dhe vendimet e institucioneve përkatëse. /Albinfo.ch