Kosova

Kurti: Dogana e Kosovës arkëtoi 1.347 miliardë euro, 6% më shumë se vitin e kaluar

Të hyrat doganore kanë shënuar rritje, ndërsa Qeveria në detyrë thekson reformat dhe përdorimin e teknologjisë për rritjen e efikasitetit.

Kryeministri në detyrë i Kosovës, Albin Kurti, ka bërë të ditur se Dogana e Kosovës ka arkëtuar deri tani 1.347 miliardë euro të hyra, apo 6 për qind më shumë krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar, transmeton albinfo.ch.

Sipas Kurtit, nga viti 2021 deri më 2025, Dogana ka arkëtuar gjithsej 8.38 miliardë euro, ndërsa rritja mesatare e të hyrave doganore gjatë kësaj periudhe ka qenë dukshëm më e lartë se rritja ekonomike.

Ai ka veçuar reformat për lehtësimin e veprimtarisë së bizneseve, përfshirë deklarimin e mallrave para arritjes, që sipas tij ka ulur kohën e procesimit me rreth 70 për qind, si dhe përmbylljen e shtetëzimit të terminaleve doganore.

Kurti ka theksuar gjithashtu forcimin e kontrolleve kufitare dhe përdorimin e teknologjisë. Sipas tij, skaneri në Merdarë ka rritur kapacitetet për zbulimin dhe parandalimin e kontrabandës dhe aktiviteteve të paligjshme.

Në kuadër të modernizimit, ai përmendi edhe projekte si Dritarja e Vetme Kombëtare, Tranziti i Përbashkët dhe automatizimi i mëtejshëm i proceseve doganore./Albinfo.ch