Lajme

Kurti dhe Osmani premtojnë përfshirjen e diasporës në të gjitha segmentet e jetës në Kosovë

Me temën “Përfshirja e mërgatës në demokraci, ekonomi dhe shoqëri – në Kosovë dhe Zvicër”, kryetari i Lëvizjes VETËVENDOSJE njëherit kandidati për kryeministër, Albin Kurti, së bashku me presidenten në detyrë, Vjosa Osmani, bashkëbiseduan me bashkëkryetarin e Partisë Social Demokrate në Zvicër Céndric ëermuth dhe kryetaren e FDP në ëallisen Arbela Statovcin mbi temën: “Përfshirja e mërgatës në demokraci, ekonomi dhe shoqëri – në Kosovë dhe Zvicër”, raporton Albinfo.ch.

Kandidati për kryeministër Albin Kurti theksoi se ka një plan për ndryshimin përkatësisht vendosjen e principeve të reja të bashkëpunimit me diasporën në aspektin e investimeve të tyre në Kosovë.

“Të gjithë biznesmenët tanë që jetojnë në Evropën Perëndimore për të investuar në vendlindjen e tyre nuk shqetësohen për nivelin e profitit sa për sigurinë e investimev e të tyre. Mendoj se me sundim të ligjit, të drejta pronësore dhe gjyqësi efikase ne do të mundësojmë investimet nga diaspora jonë. Ne do të lehtësojmë ardhjen e këtyre investimeve nga çfarëdo pengese që mund të paraqitet, qoftë ajo administrative apo fiskale”, theksoi Kurti.

Në anën tjetër Kurti theksoi se do të ndihmojnë diasporën të organizohen më mirë në vendet ku ata jetojnë. Ai tha se beson në mundësinë e integrimit në vendet ku shqiptarët jetojnë por pa u asimiluar. E për një gjë të tillë Kurti theksoi se do të dërgojnë mësuesit më të mirë nga Kosova për t’u mësuar gjuhën shqipe fëmijëve të shqiptarëve në diasporë.

“Kjo do të mundësohej me shkolla të forta dhe kualitative të gjuhës shqipe. Ne planifikojmë të dërgojmë profesorët dhe mësuesit më të mirë të gjuhës shqipe në diasporë në mënyrë ë fëmijet e diasporës krahas mësimit të gjermanishtes anglishtes e frengjishtes të mësojnë mirë edhe gjuhën shqipe”, tha Kurti, shkruan tutje Albinfo.ch.

Ndërkaq duke folur për pjesëmarrjen e diasporës në zgjedhjet në Kosovë, Kurti tha se posa të vijnë në qeverisje do të ndryshojnë ligjin për zgjedhje duke u mundësuar diasporës të votojnë nëpër përfaqësitë diplomatike të Kosovës anembanë botës dhe të mos maltretohen duke paguar bileta të shtrenjta për të ardhur e shfrytëzuar të drejtën e tyre të votës.

“Njëra ndër gjërat e para do të jetë ndryshimi i ligjit në mënyrë që tu mundëojmë diasporës të votojnë nëpër ambasada. Duke votuar, diaspora do të participojë jo vetëm në aspektin ekonomik siç ka bërë në të kaluarën duke ndërtuar Kosovën, por edhe përmes votës duke vendosur se kush do të qeverisë vendin”, tha Kurti.

Ndërkaq ushtruesja e detyrës së presidentes Vjosa Osmani e cila në listën e Vetëvendosjes mban numrin 2, foli për zgjedhjet e 14 shkurtit të cilat siç u shpreh ajo, janë të një rëndësie historike për vendin. Me këtë ajo vlerësoi se vota e diasporës do të ketë një rëndësi të madhe në këtë proces.

“Pjesëmarrja e diasporës edhe në zgjedhjet e kaluara ka qenë shumë e rëndësishme e do të jetë edhe më e rëndësishme në këto zgjedhje. Ne e kemi quajtur referendum sepse besojmë se është i tillë. Në këto zgjedhje nuk do të përcaktohet fati i individëve por fati i vendit dhe fëmijëve tanë. Duhet të theksojmë se këto zgjedhje do të jenë pikë kthese në historinë tonë dhe vota juaj si diasporë do ta bëjë edhe më të madhe diferencën. Ne do të vendosim jo vetëm kush do të na qeverisë por çfarë shkollash do të kemi dhe cili do të jetë sistemi jonë i edukimit. Ne do të ballafaqohemi sidomos tani se cila do të jetë e ardhmja e ekonomisë sidomos pas pandemisë. Për më tepër ne do të vendosim nëse do të vendosim për të ardhmen apo të kaluarën. Dhe është një diferencë e pastër mes të ardhmes dhe të kalujarës dhe po ashtu është një qartësi e madhe mes të mirës dhe të keqes. Mendoj se asnjëherë nuk ka qenë më e qartë” theksoi Osmani.

Ky bashkëbisedim 1 orësh u zhvillua në gjuhën angleze.