Kosova
Kur mund të formohet Qeveria e re e Kosovës
Zgjedhjet në Kosovë mund të kenë përfunduar, por koha kur vendi do të ketë qeveri të re duket se është ende larg. Me partitë opozitare që e përjashtojnë bashkëpunimin me Vetëvendosjen dhe me këtë të fundit që këmbëngul se do ta formojë vetë qeverinë, situata mbetet e hapur për çdo skenar
Me vota që nuk i mundësojnë qeverisjen e vetme, Lëvizja Vetëvendosje e Albin Kurtit këmbëngul se do ta formojë ajo Qeverinë e re të Kosovës.
Se me kë, nuk është ende e qartë. Partitë aktualisht në opozitë mbeten kategorikisht kundër bashkëpunimit me partinë aktualisht në pushtet, raporton Evropa e Lirë, transmeton albinfo.ch.
“Me Vetëvendosjen nuk shohim pika takimi”, përsëriti kandidati për kryeministër nga radhët e Partisë Demokratike të Kosovës, Bedri Hamza, për Televizionin Klan Kosova, më 10 mars.
“Nuk duam dhe nuk punojmë për bashkëpunim me ta [VV-në]. Ky ka qenë qëndrimi ynë paraelektoral dhe mbetet i njëjtë”, tha kandidati për kryeministër i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku, në një konferencë për media, po më 10 mars.
LDK-ja, sipas tij, do ta konsideronte si opsion koalicionin me partitë tjera, vetëm nëse do t’i ofrohej pozita e kryeministrit dhe do të arrihej marrëveshje për postin e presidentit – mandati i të cilit skadon vitin e ardhshëm.
Nga Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës thonë se Qeveria e re e Kosovës duhet të formohet nga partitë opozitare. “Ne angazhohemi që opozita ta formojë qeverinë e re”, thotë për Radion Evropa e Lirë Ahmet Isufi, anëtar i Kryesisë së AAK-së.
“Kosova duhet t’i kthehet trendit të zhvillimit të brendshëm dhe riparimit të marrëdhënieve me jashtë”, shton ai.
Në zgjedhjet parlamentare të 9 shkurtit, partia e tij ka garuar në koalicion me partinë Nisma të Fatmir Limajt.
Limaj është i vetmi nga opozita, i cili ka thënë se nuk ka “vija të kuqe” sa u përket koalicioneve të mundshme, qoftë me Vetëvendosjen apo me partitë tjera opozitare.
Pavarësisht kësaj, Isufi këmbëngul se partia e tij nuk ka ndonjë “mospërputhje të madhe” me Nismën e Limajt. “Kemi kontakte normale. Presim certifikimin e rezultateve, në mënyrë që pastaj të bashkëpunojmë për një qeveri që do t’i përmblidhte partitë opozitare”, thotë Isufi. Se kur do të bëhet certifikimi i rezultateve nuk është e qartë. Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka përmendur më herët mesin e marsit.
Ndërkohë ka pasur edhe kërkesa për përsëritjen e votimit përmes postës, por ato janë refuzuar nga Paneli Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa. Ashtu siç qëndrojnë rezultatet tash për tash, asnjëra parti nuk ka vota të mjaftueshme për të formuar e vetme qeverinë.
Lëvizja Vetëvendosje ka siguruar 48 mandate në Kuvendin e Kosovës, PDK-ja 24, LDK-ja 20, AAK-Nisma 8, Lista Serbe 9, Për Liri, Drejtësi dhe Mbijetesë 1 dhe komunitetet joserbe 10.
E, për formimin e Qeverisë duhen së paku 61 deputetë.
Naim Rashiti, drejtor i Grupit Ballkanik për Politika në Prishtinë, thotë se, tash për tash, nuk mund të thuhet se kush mund ta formojë qeverinë – Vetëvendosje apo partitë opozitare. “Është e vështirë, por përgjegjësia kryesore bie mbi fituesin e zgjedhjeve. I tërë procesi, barra e procesit për formimin e qeverisë i bie Lëvizjes Vetëvendosje – qoftë vetëm, qoftë me kompromise programore, në raport me subjektet tjera”, thotë Rashiti për Radion Evropa e Lirë.
Sipas tij, në rast se Lëvizja Vetëvendosje dështon, atëherë përgjegjësia u kalon partive opozitare. Nënkryetari i Vetëvendosjes, Glauk Konjufca, ka thënë se partia e tij planifikon ta formojë qeverinë me ndihmën e votave të komuniteteve pakicë joserbe.
Përfaqësuesit e këtyre të fundit kanë thënë se, parimisht, do të mbështesnin cilindo mandatar për formimin e qeverisë së re, por edhe 10 mandatet e tyre parlamentare janë të pamjaftueshme për Vetëvendosjen që të arrijë numrin prej 61 deputetësh.
Në këtë situatë të paqartë, e ardhmja e Qeverisë së re të Kosovës duket se do të varet nga kompromiset politike në ditët apo javët në vijim.
Për certifikimin e rezultatit të zgjedhjeve nga KQZ-ja nuk ka ndonjë afat ligjor.
Por, 30 ditë pas certifikimit të tyre, presidentja e vendit, Vjosa Osmani, duhet ta thërrasë mbledhjen konstituive të Kuvendit të Kosovës. Konstituimi përfundon me zgjedhjen e kryetarit dhe nënkryetarëve të tij.
Kjo praktikë edhe mund të zgjasë – në vitin 2014 janë dashur rreth gjashtë muaj.
Të tjera nga Kosova
E-Diaspora
-
Elbenita Kajtazi sonte ngjitet në skenën e Operës së Cyrihut me një tjetër rol të Mozartit Sopranoja shqiptare njoftoi se është gati të interpretojë një tjetër Mbretëreshë të Mozartit në "Opernhaus Zürich",... -
Itali
27-vjeçari shqiptar humb jetën në Itali pas një aksidenti tragjik në vendin e punës -
Protesta e katërt në Gjenevë: Diaspora shqiptare vazhdon mobilizimin, “Shqipëria nuk është në shitje” -
Gjermani/Francë
Sot u jepet lamtumira e fundit dy vajzave shqiptare nga diaspora që humbën jetën në aksidente tragjike -
BQK: Ekonomia e Kosovës pritet të ngadalësohet, inflacioni të rritet në 6.7% gjatë vitit 2026
Jeta në Austri
-
ÖBB rrit çmimet e biletave për shkak të kostove të larta të energjisë Operatori shtetëror hekurudhor i Austrisë, ÖBB, njoftoi se çmimet e biletave do të rriten në vitin... -
Gjykata austriake shpall të paligjshme tarifat e check-in dhe të imbarkimit në Ryanair -
20,000 persona kanë nënshkruar peticion për të hequr karrocat e kuajve nga Vjena -
Austri
Fejton Sylejmani diplomon me sukses në Universitetin e Salzburgut, fiton titullin Master i Arteve -
Temperatura rekorde edhe në Vjenë













