Kosova
Kujtesa mbi viktimat të mos mbetet vetëm simbolike, ajo duhet të shndërrohet në veprim konkret
Lidhur me organizimin e manifestimit kushtuar të zhdukurve me dhunë, albinfo.ch ka zhvilluar një intervistë të përbashkët me disa nga anëtarë/et e këshillit organizativ
Nesër, më 30 gusht, në Gjenevë mbahet manifestimi i dytë me radhë kushtuar viktimave të zhdukjes me dhunë. Iniciatore e këtij aktiviteti është shoqata kulturore “Dora D`Istria” e udhëhequr nga Mirishahe Hiler Limani.
Manifestimi organizohet pikërisht në ditën botërore të të zhdukurve me dhunë, pra, më 30 gusht dhe pikërisht në Gjenevë, në qytetin që është seli e organizatave të shumta ndërkombëtare, në mes të të cilave edhe e OKB-së.
Lidhur me motivet, përgatitjet, pritshmëritë dhe mesazhet e këtij organizimi, albinfo.ch ka zhvilluar një intervistë të përbashkët me disa nga anëtarë/et e këshillit organizativ.
Albinfo.ch: Jeni tashmë një numër subjektesh që po organizoni edicionin e dytë të aktivitetit. Për cilat subjekte apo shoqata konkretisht bëhet fjalë? A keni pasur mbështetje edhe nga një rreth më i gjerë i diasporës, përfshirë mbështetje materiale?
Bartëse kryesore e manifestimit është Shoqata Kulturore “Dora d’Istria” në Gjenevë, por organizimi është rezultat i një bashkëpunimi shumë më të gjerë. Përkrah nesh janë angazhuar shoqata kulturore, organizata të diasporës, përfaqësues të komuniteteve të ndryshme, artistë, intelektualë, veprimtarë dhe vullnetarë nga Gjeneva dhe nga kantone të tjera të Zvicrës, thonë njëzëri grupi punues i Manifestimit “Marshi për drejtësi 2026”.
Që nga edicioni i parë Shoqata Kulturore Dora d’Istria ka bashkëpunuar ndër të tjera me Lidhjen e Shqiptarëve në Botë, Shoqërinë kulturore artistike “Ilirët” nga Lozana, pltaformën mediale albinfo.ch (si sponsor medial), Ansamblin Vatra nga Bulach, Institutin Zviceran të Studimeve Shqiptare, ISAEL, Ansamblin kulturor “Bashkimi” nga Berna, Klubin UNESCO në Lozanë, grupin « Lahutari » nga Gjeneva, « Rapsodët » nga Gjeneva po ashtu si dhe me përfaqësues të komuniteteve të prekura nga zhdukjet me dhunë, si ato nga Bosnja dhe Hercegovina, Ukraina, Palestina, Kili Argjentina dhe vende të tjera, thotë Laura Krenzi nga këshilli organizativ i Marshit për drejtësi.
Kemi pasur një mbështetje të rëndësishme morale dhe organizative nga diaspora shqiptare. Shumë njerëz kanë kontribuar vullnetarisht me kohën, angazhimin, kontaktet dhe profesionalizmin e tyre, shton zonja Limani Hiler iniciatore e këtij projekti gjithëpopullor. Sa i përket mbështetjes materiale, ajo ka qenë më e kufizuar sesa nevojat reale të organizimit, shprehet Butrint Ajredini, i angazhuar jashtëzakonisht në projekte edhe socioekonomike që lidhen me Republikën e Kosovës. Megjithatë, çdo ndihmë, qoftë financiare, logjistike apo vullnetare, ka qenë e çmuar.
Jemi shumë entuziastë që ky manifestim është realizuar dhe po vazhdon të realizohet edhe këtë vit para së gjithash falë përkushtimit dhe punës së përbashkët të shumë aktivistëve shqiptarë të kantonit të Gjenevës.
Albinfo.ch: Nesër mbahet edicioni i dytë i manifestimit kushtuar personave të zhdukur me dhunë. Si e vlerësoni jehonën e edicionit të kaluar? A shihni një sensibilizim më të madh të opinionit shqiptar dhe zviceran për çështjen që përfaqësoni?
Edicioni i parë na tregoi se kjo çështje prek jo vetëm familjet e personave të zhdukur, por edhe shumë qytetarë që besojnë në të drejtën për të vërtetën, drejtësinë dhe dinjitetin njerëzor, thot zonja Limani Hiler. Jehona ishte pozitive dhe ajo na dha kurajë që manifestimin ta vazhdojmë dhe ta zgjerojmë duke synuar gjithnjë qëllimet më fisnike të shqiptarëve edhe në mbështetje të familjeve të të zhdukurve me dhunë gjatë luftës në Kosovë.
Këtë vit vërejmë një interesim më të madh nga institucionet, personalitetet politike, mediat dhe komunitetet e ndryshme që jetojnë në Gjenevë konstatojnë njëzëri këshilli organizativ. Pjesëmarrja e përfaqësuesve të disa komuniteteve që përbëjnë shoqërinë multikulturore të Gjenevës e bën manifestimin më universal, thotë Shefake Ramadani e cila me shumë përkushtim i është bashkuar grupit punues. Zhdukja me dhunë nuk është vetëm çështje shqiptare ajo është një plagë njerëzore dhe ndërkombëtare.
Në opinionin shqiptar po rritet vetëdija se nuk mjafton vetëm t’i kujtojmë personat e zhdukur brenda familjeve tona. Duhet të flasim publikisht, të organizohemi dhe t’ua drejtojmë kërkesat tona institucioneve kombëtare dhe ndërkombëtare. Edhe në opinionin zviceran po shohim një sensibilizim më të madh, megjithëse mbetet ende shumë punë për t’u bërë thotë Lulzim Memeti.
Gjeneva, si qendër ndërkombëtare e të drejtave të njeriut, është vendi i duhur që zëri i familjeve të dëgjohet më fuqishëm.
Albinfo.ch: Motoja e aktivitetit, “Përderisa i kujtojmë, ata jetojnë”, është mjaft frymëzuese. A mendoni se aktivitetet tuaja kanë prodhuar ose do të prodhojnë rezultate dhe efekte konkrete?
Motoja jonë shpreh bindjen se kujtesa është një formë qëndrese por edhe këmbënguljeje për të kërkuar drejtësi. Përderisa përmes emrave te tyre, tregojmë historitë e tyre dhe kërkojmë të vërtetën, personat e zhdukur vazhdojnë të jetojnë në ndërgjegjen tonë kolektive.
Por ne nuk dëshirojmë që kujtesa të mbetet vetëm simbolike. Synimi ynë është që ajo të shndërrohet në veprim konkret. Një rezultat i rëndësishëm është krijimi i një hapësire të përbashkët ku familjet, komunitetet, institucionet dhe qytetarët mund ta ngrenë zërin së bashku thotë Edon Duraku.
Pas marshit, më 31 gusht, një delegacion me përfaqësues të familjeve, shoqatave dhe komuniteteve të ndryshme do të pritet në Pallatin e Kombeve të Bashkuara në Gjenevë. Atje do t’ia dorëzojmë mesazhin e Marshit për Drejtësi Komitetit të Kombeve të Bashkuara për Zhdukjet me Forcë. Ky është një hap konkret, sepse zëri i familjeve do të dërgohet drejtpërdrejt në një mekanizëm ndërkombëtar për të drejtat e njeriut, thotë Butrint Ajredini, avokat në Gjenevë.
Rezultatet nuk vijnë brenda një dite, por çdo manifestim, çdo takim institucional dhe qoftë edhe çdo artikull në media ndihmon që heshtja të thyhet dhe përgjegjësia të kërkohet.
Albinfo.ch: Si e shihni zhvillimin e mëtejshëm të kësaj nisme?
Dëshirojmë që Marshi për Drejtësi të shndërrohet në një manifestim të përvitshëm dhe gjithëpërfshirës në Gjenevë. Ai duhet të jetë një vendtakim për të gjitha komunitetet e prekura nga zhdukjet me dhunë, pavarësisht prejardhjes së tyre kombëtare, politike apo fetare.
Në të ardhmen synojmë ta forcojmë bashkëpunimin me institucionet zvicerane, mekanizmat e Kombeve të Bashkuara, organizatat ndërkombëtare dhe shoqatat e familjeve. Dëshirojmë gjithashtu të përfshijmë më shumë të rinj, sepse bartja e kujtesës te brezat e ardhshëm është thelbësore, thotë Agron Kurti, këshilltar komunal në Komunën e Meyrinit dhe mbështetës i manifestimit “Marshi për drejtësi”.
Për Kosovën, kërkesa jonë mbetet e qartë: fati i mbi 1.600 personave që vazhdojnë të jenë të zhdukur duhet të zbardhet. Familjet kanë të drejtë të dinë se çfarë ka ndodhur me më të dashurit e tyre, ku ndodhen dhe kush është përgjegjës thonë aktivistët e angazhuar ne Manifestimin e Ditës ndërkombëtare të të zhdukurve me dhunë, me 30 gusht 2026 në Gjenevë.
E-Diaspora
-
UHZ dhe ABSM hapin një kapitull të ri bashkëpunimi për aftësim profesional Njohuritë akademike synohet të plotësohen me kompetenca që studentët mund t’i përdorin drejtpërdrejt në zhvillimin e... -
SHKASH “Xheladin Zeqiri” nga Tetova prezanton folklorin shqiptar në Qipro -
Gjenevë: Ministri Hoti merr pjesë në aktivitetet kushtuar viktimave të zhdukjes me forcë -
Punëson kosovarin “pa letra”: Ja sa gjobiten punëdhënësi dhe punëtori -
Paditen dy shoferët kosovarë të autobusit, punonin pa licencë në Austri
Jeta në Austri
-
Vjena shqyrton qasjen falas në të gjitha tualetet publike Vjena po shqyrton nëse do t’i bëjë tualetet publike falas në të gjitha aspektet. Vlerësimi është... -
Paditen dy shoferët kosovarë të autobusit, punonin pa licencë në Austri -
Turizmi veror: Austria ka regjistruar 41.87 milionë net-qëndrime -
Çfarë nënkuptojnë rregullat e reja të BE-së për patentën e shoferit për Austrinë? -
Matoshi transferohet nga Fc Thun te Sturm Graz i Austrisë













