Skip to content

Kosovë: Bëhet thirrje për protestë kombëtare pas vrasjes së Arlinda Zekajt

Kolektivi për Mendim dhe Veprim Feminist ka thirrur protestë kombëtare për të mërkurën, në orën 16:00, pas vrasjes së Arlinda Zekajt në Vitomiricë të Pejës.

Sipas njoftimit për media, protesta “Vrasja e grave të trajtohet si urgjencë kombëtare” do të mbahet në sheshin “Zahir Pajaziti” teksa tutje, në thirrjen për protestë thuhet se kjo javë është thirrja e fundit për revoltë kombëtare për ta mbrojtur jetën e grave në Kosovë.

“Duhet t’i lëmë shtëpitë, punët, klasat e mësimit për t’i mbushur sheshet e dyert e institucioneve që po shpërfillin totalisht jetën dhe sigurinë e grave cep më cep Kosovës. Nuk mund të vazhdojmë të jetojmë një normalitet të sforcuar kur gratë po dhunohen, rrihen e edhe vriten para syve tanë”, thuhet në njoftim, transmeton albinfo.ch.

Ndër të tjera në deklaratë thuhet se vrasja me sëpatë e një gruaje nga kunati është alarmi për luftën që u është shpallur grave.

“Sikurse rastet e tjera të femicidit, kjo vrasje ishte paralajmëruar nga e ndjera, e cila e kishte lutur për ndihmë një shtet që është shndërruar për vite me radhë në bashkëdoras në vrasjen e grave. Arlinda Zekaj u vra me ndërmjetësimin e shtetit, i cili nuk u beson grave, i përbuz, i neglizhon ato dhe vazhdon t’i shohë ato kryesisht si prona të burrave. Na është treguar vazhdimisht që ky shtet nuk është edhe shtet për gratë. Na është treguar po ashtu që kjo shoqëri i urren dhe i dhunon gratë deri t’ua marrë frymën e fundit. Ne e kemi mësuar këtë përgjakshëm. E kemi mësuar dhunshëm se ne luftën tonë duhet ta bëjmë në disa fronte, si kundrejt shoqërisë patriarkale, ashtu edhe ndaj patriarkisë shtetërore që po na mban nën frikë, terror e dhunë, e disa prej nesh edhe po ua merr jetën me sakicë, plumb a grushte”, thuhet në njoftim.

“Andaj, të mërkurën, të enjten, të premten e ditët në vijim, ne do të dalim rrugëve e do të bllokojmë institucione, sepse është momenti i fundit që ky shtet të japë llogari. Nisemi prej sheshit Zahir Pajaziti, te Ministria e Drejtësisë, Këshilli Prokurorial i Kosovës, Këshilli Gjyqësor i Kosovës, Policia e deri te Qeveria. Kërkojmë organizim e solidarizim kombëtar. Për siguri e liri për gratë e gjalla e drejtësi për gratë e vrara. Na u bashkoni”, thuhet në njoftim.