Ish-kryeinspektori i Punë në Kosovë, Agim Millaku, ka ngritur shqetësimin për rritjen e numrit të aksidenteve me pasoja fatale në vendet e punës në Kosovë.
Gjatë një interviste në mediat e Kosovës Millaku ka thënë se shifrat e këtij viti janë alarmante krahasuar me vitet e mëparshme.
Ai ka theksuar se zakonisht gjatë një viti regjistroheshin rreth 10 deri në 11 raste të vdekjeve në vendin e punës, ndërsa vetëm brenda shtatë muajve të këtij viti janë shënuar 16 raste me pasoja fatale.
“Numri prej 16 rasteve me pasoja fatale është shumë i lartë, pasi në vitet e kaluara mesatarja vjetore ka qenë rreth 10 deri në 11 viktima. Këtë vit ky numër është arritur vetëm për shtatë muaj”, ka deklaruar Millaku.
Sipas tij, rritja e rasteve të tilla tregon për një gjendje serioze sa i përket sigurisë në punë dhe nevojën për masa më të mëdha për mbrojtjen e punëtorëve.