Kosova

Kosovë: 20 punëtorë kanë humbur jetën në vendin e punës gjatë vitit 2026

Sindikata e Sektorit Privat ngre alarmin për sigurinë në punë: 11 nga rastet fatale kanë ndodhur në ndërtimtari, ndërsa kritika ka edhe për trajtimin gjyqësor të rasteve.

Siguria në vendin e punës vazhdon të jetë një prej shqetësimeve kryesore për punëtorët në Kosovë. Sipas kryetarit të Sindikatës së Pavarur të Sektorit Privat të Kosovës (SPSPK), Jusuf Azemi, nga fillimi i vitit 2026 deri më tani 20 punëtorë kanë humbur jetën në vendin e punës, përcjell albinfo.ch.

Prej tyre, 11 raste kanë ndodhur në sektorin e ndërtimtarisë, ndërsa nëntë të tjerat në sektorë të ndryshëm.

Azemi ka kritikuar pronarët e kompanive, Inspektoratin e Punës dhe institucionet shtetërore për mënyrën se si po trajtohet çështja e sigurisë në punë.

Sipas tij, Inspektorati i Punës po bën përpjekje në terren, por përgjegjësinë kryesore e bartin pronarët e kompanive.

“Në vitin 2026 kanë humbur jetën fatkeqësisht 20 punëtorë. Prej këtyre 20 punëtorëve, 11 kanë qenë raste që kanë ardhur nga ndërtimtaria dhe 9 të tjerë nga profile të ndryshme”, ka deklaruar Azemi.

Ai ka shtuar se, sipas vlerësimit të tij, në shumicën e rasteve fatale shkak është faktori njerëzor dhe mungesa e masave të duhura të sigurisë.

Kritika edhe për institucionet

Azemi ka thënë se përgjegjësia për sigurinë në vendin e punës nuk duhet t’u atribuohet vetëm kompanive.

“Fajtorë kryesorë janë pronarët e kompanive. Normal që hallka e dytë është Inspektorati i Punës dhe në rend të tretë mund të them se është e gjithë Qeveria që duhet të shqetësohet për këto raste”, ka deklaruar ai.

Sipas tij, shqetësim i madh mbetet edhe mënyra se si trajtohen në gjykata rastet e vdekjes së punëtorëve.

Azemi ka thënë se sindikata ende nuk ka informacion për ndonjë vendim gjyqësor përfundimtar në raste të tilla, ndërsa ka përmendur raste që, sipas tij, kanë zgjatur më shumë se 17 vjet.

Sindikata kërkon mbështetje për familjet

Një tjetër shqetësim i ngritur nga Azemi është mungesa e një mbështetjeje financiare të qëndrueshme për familjet e punëtorëve që humbin jetën në vendin e punës.

Ai ka thënë se sindikata prej vitesh ka kërkuar krijimin e një fondi që do t’u ndihmonte familjeve të viktimave, por kjo kërkesë, sipas tij, nuk është adresuar.

“Ne me dekada kemi kërkuar që këto raste të tilla të kenë mbështetje financiare, së paku që familjet që humbin më të afërmit e tyre të mos e kenë telashin e çështjes financiare. Por shteti nuk po e trajton barabartë sektorin privat dhe atë publik”, ka thënë Azemi për Ekonomia Online.

Vetëm pak kompani ndihmojnë familjet

Duke folur për dëmshpërblimet, Azemi ka deklaruar se vetëm një numër i vogël i kompanive u dalin në ndihmë familjeve të punëtorëve që humbin jetën në vendin e punës.

Ai ka theksuar se zvarritja e proceseve gjyqësore e vështirëson edhe më shumë trajtimin e rasteve dhe sigurimin e drejtësisë për familjet e viktimave.

Sipas tij, në disa raste, me kalimin e viteve mund të humbin apo të eliminohen prova të rëndësishme, ndërsa përgjegjësia, sipas tij, në disa raste përfundon duke iu atribuar vetë punëtorëve.

Rastet fatale në disa sektorë

Përveç ndërtimtarisë, Azemi ka përmendur edhe sektorë dhe profesione të tjera ku, sipas të dhënave që ai ka në dispozicion, kanë ndodhur raste fatale gjatë vitit 2026.

Në mesin e tyre ai ka renditur punëtorët që merren me vendosjen e reklamave pranë rrugëve, përpunuesit e drurit dhe plastikës, shoferët e kamionëve, punëtorët në prodhimin e qymyrit, si dhe raste të vdekjes nga kontakti me rrymën.

Sindikata kërkon që institucionet dhe kompanitë të ndërmarrin masa më konkrete për parandalimin e aksidenteve në vendin e punës dhe mbrojtjen e punëtorëve./Albinfo.ch