Skip to content

Konstituohet Komisioni Hetimor për vrasjen e Arlinda Zekajt, do të hetohen veprimet e institucioneve

Komisioni parlamentar do të shqyrtojë përgjegjësinë e institucioneve në rastin e vrasjes së 49-vjeçares në Pejë, si dhe trajtimin e dhunës ndaj grave dhe fëmijëve në familje.

Në Kuvendin e Kosovës është konstituuar sot, më 2 nëntor, Komisioni Hetimor Parlamentar, i cili do të shqyrtojë veprimet dhe mosveprimet e institucioneve lidhur me vrasjen e Arlinda Zekajt, si dhe mënyrën e trajtimit të dhunës ndaj grave dhe fëmijëve në familje, përcjell albinfo.ch.

Komisioni përbëhet nga 11 anëtarë dhe ka mandat maksimal prej gjashtë muajsh. Ai kryesohet nga Burim Ramadani i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, ndërsa zëvendëskryetar është Adnan Rrustemi nga Lëvizja Vetëvendosje.

Kuvendi i Kosovës kishte miratuar themelimin e këtij komisioni më 29 tetor, pas vrasjes së Arlinda Zekajt në Vitomiricë të Pejës.

Gjatë mbledhjes së parë, kryetari i komisionit, Burim Ramadani, ka theksuar se hetimi duhet të mbështetet në fakte dhe dëshmi konkrete, duke shmangur politizimin e rastit.

Ai ka bërë të ditur se puna e komisionit do të zhvillohet në tri faza, duke përfshirë mbledhjen e provave, vlerësimin e veprimeve institucionale dhe përgatitjen e raportit përfundimtar.

Ndërkohë, kryetarja e Kuvendit të Kosovës, Albulena Haxhiu, ka kërkuar që Prokuroria Speciale të hetojë veprimet dhe mosveprimet e zyrtarëve institucionalë që kanë qenë të përfshirë në trajtimin e rastit.

Haxhiu ka theksuar se të gjithë personat që ftohen për të dëshmuar para komisionit duhet t’u përgjigjen kërkesave të tij.

Ajo ka shprehur shqetësim edhe për mungesën e masave ndaj zyrtarëve të institucioneve të tjera, duke përmendur Këshillin Gjyqësor të Kosovës dhe Komunën e Pejës.

Arlinda Zekaj u vra më 25 tetor në Vitomiricë të Pejës, ndërsa për vrasjen dyshohet ish-kunati i saj.

Vetëm tri ditë para ngjarjes tragjike, 49-vjeçarja u ishte drejtuar institucioneve përmes një letre, duke paralajmëruar se jeta e saj ishte në rrezik.

Pas vrasjes, janë suspenduar 11 zyrtarë policorë, si dhe kryeprokurorja dhe prokurorja e rastit në Pejë.

Themelimi i Komisionit Hetimor Parlamentar synon të sqarojë nëse institucionet kanë vepruar në përputhje me përgjegjësitë e tyre dhe nëse kanë ekzistuar dështime në mekanizmat për mbrojtjen e viktimave të dhunës në familje.