Kosova

Konjufca: Kosova në komunikim me Kroacinë për lehtësimin e pritjeve në pikat kufitare

Ministri i Punëve të Jashtme dhe Diasporës i Kosovës, Glauk Konjufca, ka bërë të ditur se ka zhvilluar një bisedë telefonike me ministrin e Punëve të Jashtme dhe Evropiane të Kroacisë, Gordan Grlić Radman, lidhur me pritjet e gjata me të cilat po përballen qytetarët e Kosovës dhe bashkatdhetarët nga diaspora në pikat kufitare kroate.

Sipas një statusi të publikuar nga Konjufca, ai ka shprehur shqetësimin për vështirësitë që po u shkaktohen qytetarëve në kulmin e sezonit veror. Ai njoftoi se homologu kroat është zotuar ta trajtojë këtë çështje me autoritetet kompetente në Kroaci, me qëllim që të shqyrtohen mundësitë për lehtësimin e qarkullimit dhe zvogëlimin e kohës së pritjes.

Konjufca ka theksuar se fluksi i madh i udhëtarëve po përkon me masa të shtuara të sigurisë dhe kontrolle më të rrepta në kufijtë e jashtëm të Bashkimit Evropian, pas krizës kufitare të ditëve të fundit në Spanjë. Sipas tij, këto masa kanë ndikuar në zgjatjen e procedurave të kontrollit në pikat kufitare.

Në fund të deklaratës, ministri ka falënderuar homologun kroat për mirëkuptimin, gatishmërinë dhe qasjen konstruktive ndaj kësaj çështjeje, duke vlerësuar njëherësh bashkëpunimin e vazhdueshëm ndërmjet Kosovës dhe Kroacisë.

Ai shtoi se institucionet e Kosovës do të vazhdojnë komunikimin e ngushtë me autoritetet kroate, duke e ndjekur nga afër situatën dhe duke ndërmarrë hapat e nevojshëm për lehtësimin e lëvizjes së qytetarëve të Kosovës/albinfo.ch/