Lajme
Johnson lejon Huawei’n ta ndërtojë rrjetin 5G në Britani
Kryeministri britanik Boris Johnson duket se do të pranojë që gjiganti i telekomit kinez Huawei të luajë një rol në zhvillimin e rrjetit 5G të Britanisë. Ky hap rrezikon të shkaktojë një debat të fortë mes inteligjencës britanike dhe asaj amerikane, sipas zyrtarëve amerikanë.
Megjithë lobimin intensiv në momentet e fundit nga Shtetet e Bashkuara për të bllokuar Huawei-n, zyrtarët britanikë thonë se është një “përfundim tashmë i paracaktuar” se zoti Johnson do të lejojë pjesëmarrjen e kompanisë Huawei në ndërtimin e rrjetit 5G në Britani.
Kjo do të konfirmonte një vendim “të përkohshëm” të marrë nga paraardhësja e tij, Theresa May. Vitin e kaluar, ajo tha se Huawei duhet të lejohet të ndërtojë disa rrjete “jo-thelbësore” 5G të Britanisë, duke anashkaluar shqetësimet e Shteteve të Bashkuara.
Vendimi përfundimtar i Kryeministrit Johnson mund të njoftohet që këtë javë, thonë zyrtarët.
Prej një viti, administrata e Presidentit Trump i ka kërkuar Britanisë të mos lejojë kompaninë Huawei të marrë pjesë në zhvillimin e rrjetit të brezit të pestë në Britani. Zyrtarët amerikanë thonë se ekziston një rrezik i madh që kompania, e cila ka lidhje të ngushta me shërbimet e inteligjencës kineze, të veprojë si një kalë Troje për agjencitë kineze të spiunazhit, duke i lejuar ato të mbledhin të dhëna kundërzbulimi.
Nënpresidenti Mike Pence dhe Sekretari i Shtetit Mike Pompeo u kanë bërë thirrje të gjithë aleatëve perëndimorë të shmangin Huawein për arsye sigurie. Ata kanë paralajmëruar posaçërisht Londrën se pjesëmarrja e Britanisë në marrëveshjen “Five Eyes” (Pesë Sytë), për shkëmbimin e informacioneve të inteligjencës, e kryesuar nga Shtetet e Bashkuara dhe që përfshin pesë vende anglofone: Australia, Kanadaja, Zelanda e Re dhe Britania, do të vihej në rrezik.
Australia dhe Zelanda e Re kanë ndaluar kompaninë Huawei të zhvillojë rrjetet e tyre 5G. Deri më tani, Kanadaja nuk e ka bërë këtë.
Zyrtarë të lartë amerikanë të sigurisë ishin në Londër javën e kaluar dhe paralajmëruan Kryeministrin Johnson dhe ministrat e tij se lejimi i kompanisë Huawei që të furnizonte madje edhe disa pajisje jo thelbësore të rrjetit të ardhshëm 5G do të ishte “çmenduri”.
Por Kryeministri Johnson është përballur me lobim të fortë nga Kina, dhe nga kompanitë britanike të telekomit dhe telefonisë celulare. Ato tashmë kanë instaluar teknologjinë Huawei për të filluar ndërtimin e rrjetit të ri në më shumë se 70 qytete në Britani. Zyrtarët e këtyre kompanive paralajmërojnë se vonimi i instalimit të rrjetit 5G do t’i kushtonte ekonomisë britanike miliarda stërlina. Tërheqja e pajisjeve dhe infrastrukturës tashmë të instaluar do t’i kushtonte kompanive britanike qindra miliona stërlina dhe mund të vonojë deri në pesë vjet instalimin e rrjetit 5G.
E-Diaspora
-
Cyrih
Elbenita Kajtazi mbyll me sukses debutimin në Operën e Cyrihut Sopranoja shqiptare falënderoi dirigjentin, ekipin artistik dhe Operën e Cyrihut pas përfundimit të produksionit “Così fan... -
Gjermani
Oficeri i FSK-së, Bujar Ferizi, diplomon në Kolegjin Ndërkombëtar të Shtabit të Përgjithshëm në Gjermani -
Itali
Nga Gostivari në elitën e gastronomisë italiane, historia frymëzuese e shefit Erduan Rexhepi -
Oda Ekonomike e Kosovës fton bizneset në takimet B2B me diasporën -
Kosovare Asllani vazhdon kontratën me London City Lionesses deri në vitin 2027
Jeta në Austri
-
Vjena rrit taksën turistike Vjena po e rrit ndjeshëm taksën lokale për turistët - dhe kështu bëhet qyteti me taksën... -
Problemi i drogës po rritet në Vjenë -
„Dita Kulturore Shqiptare“ në Graz, simbol i bashkimit të shqiptarëve në diasporë -
Austri: Arrestohet kosovari i kërkuar ndërkombëtarisht -
Austria ndryshon rregullat e përfitimeve familjare për refugjatët ukrainas















