Kosova
John Duncan: Nuk mendoj se Thaçi ishte kryekomandant, fuqinë reale e kishin komandantët e zonave
Diplomati britanik John Duncan tha se e ka kuptuar që fuqinë reale në Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës e kishin komandantët e zonave.
“Fuqinë reale në strukturën e UÇK-së e kishin komandantët rajonal dhe kjo na u konfirmua kur u takuam me gjeneralin Agim Çeku në fillim të negocimit e marrëveshjes”, tha Duncan duke u përgjigjur në pyetjet e mbrojtjes së Hashim Thaçit përmes avokates, Nina Tavakoli, raporton “Betimi për Drejtësi“.
Duncan deklaroi se më 14 qershor 1999 në Tiranë, Agim Çeku i kishte thënë se nuk mund të merrej vesh për asgjë nëse nuk merrnin pjesë në negociata komandantët e zonave.
“Ai na tha se unë këtë nuk e bëjë dot pa praninë e komandantëve të zonave. Ju duhet të vini në Kosovë tha ai. Unë i besova. Ai ishte shumë ngulmues për këtë çështje. Ai tha se Thaçi nuk ishte i dispouneushëm dhe për ta bërë një gjë të tillë dhe se (Thaçi) duhej të konsultohej. Më pas ai (Çeku) shtoi se unë nuk e bëj një gjë të tillë në qoftë se në negociata nuk marrin pjesë komandantët e zonave”, shtoi ai, transmeton albinfo.ch.
Ai deklaroi se kjo gjë ishte e pazakontë për shkak se forcat e NATO-s nuk e kanë si praktikë që komandantët e zonave të marrin pjesë në negociata nëse kanë një komandant të lartë.
Diplomati britanik, John Duncan tha në Hagë se funksionimi i UÇK-së nuk ishte si i një ushtrie normale, ku në bisedime do ftohej komandanti për marrëveshje.
Sipas tij, NATO-ja kurrë nuk do të shkonte në nivele rajonale, por përfaqësimi do bëhej nga komandanti kryesor, raporton “Betimi për Drejtësi“.
“Si rregull, NATO-ja do të ftonte komandantët e lartë dhe do bëhej një marrëveshje në mes gjeneralit (Wesley) Clark dhe cilitdo që do ishte nga pala tjetër. Nuk do shkonim kurrë në nivel rajonal. Kjo shërben për të kuptuar strukturën hierarkike. Pra, si funksiononte atje”, tha ai.
Tutje u shpreh se me UÇK-në, vështirësia kryesore ishte kjo për shkak se ata nuk kishin strukturë hierarkike.
“Kjo ishte vështirësia që po përballeshim atje sepse nuk kishin strukturë hierarkike. Ishin të organizuar ndryshe. Pushtetet ishin ndryshe në vende të ndryshme”, deklaroi ai.
Duke folur për një takim me anëtarët e UÇK-së në qershor të 1999-ës, dëshmitari John Duncan deklaroi se i kujtohet se vinte era luftë, barut e tym, gjë e cila i kishte lënë mbresa.
“Më kujtohet era. Vinte era luftë. Më ka bërë shumë përshtypje era barut. Era barut e era tym është njëra ndër gjërat që më ka lënë mbresa. Moment shumë mbresëlënës për mua”, tha dëshmitari.
Dëshmitari Duncan u shpreh se nga pikëpamja ushtarake ishte takim frytdhënës. Ndërsa, sipas tij, krahu politik kërkonte formulime që do të njihej Qeveria e Përkohshme e Kosovës.
“Nga pikëpamja ushtarake ka qenë shumë frytdhënës si takim. Krahu politik më duket se është zoti Haliti atje ose ndonjëri nga të pandehurit këtu mbase, ishin shumë të vështirë. Kërkonin formulime që të bënin të qartë që të njihej Qeveria e Përkohshme. U përpoqëm që të mos e pranonim këtë. Takimi pati një sukses të pjesshëm. Tekst mbeti pak a shumë siç e kisha hartuar unë. Kështu që, i shtuam disa hollësi. Takimi ishte frytdhënës. Ata hezitonin shumë, ata thonin se ne e kemi fituar luftën dhe nëse çarmatosemi ta bëjmë me nderë- nëse çarmatosemi ta bëjmë siç duhet. Kishte një ndjenjë të fortë prej tyre. Ata e konsideronin veten si luftëtarë të suksesshëm dhe donin ta mbronin veten përpara syve të popullit të tyre”, tha dëshmitari.
Për Ramush Haradinajn, Duncan tha se është karakter i veçantë, duke e krahasuar me filmat e Rambos.
“Është karakter i veçantë. Është si në filmat e Rambos. E kishte një emblemë në krah. Të binte në sy si personazh. Fliste goxha shpesh”, tha ai.
E-Diaspora
-
Diaspora nis peticionin për mbledhjen e nënshkrimeve për zgjedhjen e Murat Jasharit president Inicohet peticion nga diaspora për kandidimin e Murat Jasharit për president... -
Zvicër
Shqiptari nga Kosova humb jetën në aksident trafiku në Zvicër -
Paris
Angelin Preljocaj në qendër të një mbrëmjeje artistike në Muzeun Luvër -
Lea Ypi zgjidhet anëtare e Akademisë Amerikane të Arteve dhe Shkencave -
“The Guestkeepers” sjell mikpritjen kosovare në Zvicër: një fundjavë kulturore e pasur me dialog dhe interaktivitet
Jeta në Austri
-
Trupa e teatrit të Gjakovës “Hadi Shehu” shfaq me 27 prill vepren “Vojçeku” në Vjenë Një nga veprat më të fuqishme të teatrit evropian, “Vojçeku”, nga Georg Büchner, në adaptimin e... -
Austria planifikon rregulla më të rrepta për ofertat e kreditit online -
Nesër Maratona e Vjenës 2026: Këto rrugë do të mbyllen -
Austri
Brendon Ahmeti nga Austria përfshihet në listën e Forbes me start-upin Synaps -
Kostot e strehimit për studentët në Austri rriten në 586 euro në muaj












