Lajme
Januz Saliuka: Të mos jemi top i lojës, por lojtarë në fushë
Saliuka, nëpunës për integrim dhe diversitet në administratën e Vjenës, për “albinfo.at”, flet për sfidat dhe problemet që has diaspora jonë në Austri
Januz Saliuka thekson se komuniteti shqiptar është i integruar mirë në Austri. Ai punon në magistratin e 17-të dhe merret me çështjen e integrimit dhe diversitetit. Saliuka për “albinfo.at” flet për sfidat dhe problemet që has diaspora jonë në Austri. Ai thotë se shqiptarët në Austri janë popull punëtor dhe jo problematik. Megjithatë, ai kërkon që komuniteti shqiptar të jetë më i angazhuar në të gjitha sferat jetësore në Austri që “të mos jetë top i lojës, por lojtar në fushë”.
Januz Saliuka njihet si një nga veprimtarët dhe aktivistët më të njohur shqiptarë në Austri. Për më shumë se 20 vjet, gjakovari është iniciator i shumë aktiviteteve kulturore – sportive, por edhe politike e shoqërore që organizohen nga bashkatdhetarët tanë në Vjenë. Në Prishtinë Saliuka kishte përfunduar shkencat teknike të Makinerisë. Në vitin 1985 migron në Austri. Dy vjet më vonë, pra në vitin 1987 në Vjenë fillon të punojë në sferën sociale, ndërsa në të njëjtën kohë përfundon edhe shkollime të ndryshme universitare në Vjenë.
Prej 15 vjetësh, nëpunës për integrim, në Vjenë
Nga viti 2004 Januz Saliuka punon në magistratin e 17-të të Vjenës. Aty ai është referent i qytetit të Vjenës për çështje të integrimit dhe diversitetit. Puna e tij e përditshme ka të bëjë me rrjetëzimin e grupeve të interesit, shoqatave dhe të gjitha strukturave të tjera shtetërore apo shoqërore, qofshin ato politike ose ekzekutive. Megjithatë, Januz Saliuka thuajse çdo ditë pret edhe bashkatdhetarë apo studentë tanë, të cilët sapo të arrijnë në Austri dëshirojnë të njihen me hapat e parë të integrimit dhe sfidat që duhet t’i kalojnë për t’u integruar sa më mirë dhe për të qenë të gatshëm për tregun e punës.
“Është interesante që pothuajse nuk kemi asnjë shqiptar që vjen si refugjat apo në `të zezën`. Të gjithë që vijnë në Austri, vijnë qoftë në kuadër të bashkimit familjar, si studentë apo në strukturat deficitare në Austri, pra profilet për të cilët ka mungesë ne tregun e punës”, thekson ai për “albinfo.at”.
“Në radhë të parë, secili migrant që vjen në Austri, fillimisht e nënshkruan një kontratë të integrimit. Ajo paralelisht lidhet edhe me kërkesën për lejeqendrim në Austri. Problem i parë është mësimi i gjuhës gjermane. Nivelin A1 ata duhet ta përgatisin sapo të bëjnë kërkesën për leje të qëndrimit. Posa të arrijnë në Austri, ata duhet të vazhdojnë me ndjekjen e kursevë në: A2, B1 etj, që në një të ardhme të afërt të jenë të përshtatshem për tregun e punës dhe të sigurojnë një mirëqenie sociale. Ne ju shpjegojmë se çfarë duhet të bëjnë ata fillimisht, çka mund të presin nga shteti apo nga të gjitha rrjetet sociale të shtetit të Austrisë, ku obligohen, ku kanë lehtësira më shumë, si dhe ku mund të orientohen. Po ashtu i këshillojmë për kurse, shkolla, vendbanime, për tregun e punës, për të drejtat e punës, për sjelljet e qytetarëve të Vjenës.
I vetëm, për 35 mijë shqiptarët e Vjenës
Përveç kësaj, ata që vijnë për konsultime tek ne, mund të marrin disa letra me vlerë (bonuse), të cilat mund t`i shfrytëzojnë në disa institucione që funksionojnë në Vjenë dhe ato mund t`i ndihmojnë, bie fjala, për kurse të gjuhës gjermane që ua mundëson t`i ndjekin me një pagesë më të ulët”, tregon Saliuka.
Interesimi i shqiptarëve në Austri për t`u informuar duket se është shumë i madh, por Januz Saliuka thotë se është e pamundur që një person t`ua plotësojë të gjitha kërkesat. “Ne nuk mund të marrim palë në mënyrë idividuale për shkak se unë jam vetëm një person ndërsa në Vjenë mendohet se janë afro 35 mijë shqiptarë… Nëse ka grupe të caktuara dhe që kanë nevojë të informohen për një temë të caktuar, jo vetëm nga unë, por do të organizojmë që të na vijë edhe ndonjë ekspert që do të mund të flasë për atë temë të caktuar”, sqaron ai.
Shqiptarët në Austri janë punëtorë, nuk njihen si komunitet problematik
Integrimi i shqiptarëve në Austri është shumë i mirë. Shqiptarët janë popull evropian. Nuk kanë kërkesa të mëdha, integrohen shumë shpejt dhe bëhen pjesë e shoqërisë ku jetojnë. “Shqiptarët, për nga mosha janë mjaft të rinj, por edhe nataliteti i shqiptarëve është i lartë në Austri. Pra, janë kontribues të mëdhenj të natalitetit në Austri. Janë taksapagues të mirë, janë popull punëtor, madje shumë firma kanë interes që të marrin puntorë shqiptarë duke e ditur punën që e bëjnë. Shqiptarët në Austri nuk njihen si komunitet problematik”. Januz Saliuka thotë se shqiptarët në Austri janë të lidhur me njëri tjetrin. Ata bashkëpunojnë në sfera të ndryshme. Mblidhen së bashku, luajnë së bashku, festojnë së bashku… A mund të jemi edhe më mirë? – “E mira nuk ka fund. Gjithmonë është e mundshme!”.
Januz Saliuka, përveç angazhimeve të shumta në sfera të ndryshme, nga radhët e SPÖ-së, ka qenë edhe kandidat për deputet të Vjenës por edhe për parlamentin e Austrisë. Madje jo vetëm ai, por në garën politike për deputet kanë marr pjesë edhe disa kandidatë të tjerë shqiptarë nga vende të ndryshme të Austrisë. Mirëpo deri më tash ende nuk kemi asnjë deputet shqiptar as në parlamentin e Vjenës e aq më pak në atë të Austrisë.
“Po të kishim një deputet në Parlamentin e Austrisë do të kishim edhe qasje direkt edhe në Qeverinë e Austrisë. Në atë kuptim që do të kishim edhe disa lehtësime për zhvillimin kulturor të komunitetit. Arsyeja pse nuk kemi, mendoj është se pjesa dërmuese e shqiptarëve që jetojnë në Austri por edhe të atyre që janë të natyralizuar, më shumë janë të orientuar se çfarë ndodh me politikën në Kosovë se sa për zhvillimet politike në Austri. Mendojnë se këtu është një shtet stabil dhe që ka mirëqënie sociale prandaj nuk e ndiejnë veten të rrezikuar por mundohen që të japin edhe kontributin e tyre në vendlindjen e tyre dhe kështu që fokusi i tyre është më i madh në vendlindje. Kjo është një e drejtë, por në anën tjetër duhet të ritet më shumë interesi për angazhim këtu sepse ne, sa më shumë që të angazhohemi në politikë aq më tepër do të krijojmë kushte më të mira për komunitetin tonë. Pra, të mos jemi si top i lojës, por të jemi lojtarë në fushë”, thotë Saliuka në fund të bisedës sonë.
Box
Ja përse nuk kemi ende deputet shqiptar në Austri
“Po të kishim një deputet në Parlamentin e Austrisë, do të kishim edhe qasje direkt edhe në Qeverinë e Austrisë. Në atë kuptim që do të kishim edhe disa lehtësime për zhvillimin kulturor të komunitetit. Arsyeja pse nuk kemi, mendoj është se pjesa dërmuese e shqiptarëve që jetojnë në Austri, por edhe të atyre që janë të natyralizuar, më shumë janë të orientuar se çfarë ndodh me politikën në Kosovë se sa për zhvillimet politike në Austri.
E-Diaspora
-
Zvicër
Forbes: Arben Ademi, sipërmarrësi shqiptar nga Zvicra në industrinë e luksit Arben Ademi, shqiptari nga Zvicra që po lë gjurmë në industrinë e luksit me brendin ndërkombëtar... -
Gjenevë
Superkupa Kosovë–Diasporë organizohet për herë të parë në Gjenevë -
Kurti: Diaspora dhe bashkëpunimi me Gjermaninë, çelës për zhvillim ekonomik -
Zvicër
“Një gjuhë për dhimbjen”, historia e një familjeje kosovare nominohet për çmimin prestigjioz të gazetarisë në Zvicër -
Olso
Sukses akademik, Fikri Hajdari fiton doktoraturën në Norvegji
Jeta në Austri
-
Nis sonte Eurovision 2026 në Vjenë 15 artistë garojnë në gjysmëfinalen e parë, ndërsa festivali zhvillohet nën masa të rrepta sigurie dhe... -
Çka pritet nga Eurovision 2026: Favoritët dhe gjysmëfinalet -
Me 15-16 maj 2026 në Prishtinë do të mbahet edicioni i 10-të i Konferencës Ekonomike i organizuar nga Rrjeti Global i Bizneseve Shqiptare -
Pas sistemit të ri monitorues të targave, rregulla të ashpra për shoferët në Austri -
Linz: Burri dyshohet se vrau gruan dhe vajzën e tij, e më pas veten












