Kosova

Ja sa kanë pasuri liderët e Kosovës

Në Agjencinë Kundër Korrupsionit, janë publikuar deklarimet e pasurisë nga zyrtarë e politikanë shtetërorë. 

Presidenti i Kosovës Hashim Thaçi i cili së fundmi ka kaluar në shtëpinë e tij të re luksoze, në deklarimin e pasurisë tek Agjencia Kundër Korrupsionit e ka vlerësuar 350 mijë euro. Shtëpia 350 mijë eurosh ka 450 metra katror dhe është në pronësi të përbashkët, mes tij dhe bashkëshortes së tij. 

Deklarimi i pasurisë – Hashim Thaçi 

Në sqarimin e dhënë për AKK-në, Thaçi thotë se 113 mijë euro janë investuar në shtëpinë e kontraktuar, ndërsa pjesët e tjera i ka shpenzuar për shpenzime familjare dhe rreth 7 mijë euro thotë se i ka ende në llogari. 

Vitin e kaluar, Thaçi kishte deklaruar se posedon dy vetura, një “Audi A4” dhe një “Audi Q5”, ndërsa këtë vit, ai ka deklaruar vetëm veturën e Q5. 

Presidenti i Kosovës Hashim Thaçi në deklarimin e tij të pasurisë në Agjencinë Antikorrupsion ka deklaruar se ka në dy banka të kursyera mbi 10 mijë euro ndërsa merr pagë vjetore 33 mijë e 282 euro si president.

Deklarimi i pasurisë – Ramush Haradinaj 

Kryeministri Ramush Haradinaj, ka deklaruar se ka një shtëpi banimi të lëshuar me qira, shtëpi familjare –Kullë, Tokë kodrinore, tokë-truall, shtëpi banimi dhe një banesë. 

Kryeministri në deklarimin e pasurisë ka treguar se ka para të gatshme në vlerë 71.720 euro, të cilat i mban në njërën nga bankat në Kosovë, por gjithashtu ka edhe detyrime financiare siç është kredia në vlerë 133.931 euro, TVSH nga qeraja e shtëpisë për 11 muaj gjatë një viti 14.531 euro dhe detyrim financiar për banesë në vlerë 20 mijë euro. 

Pasurinë e ka deklaruar edhe kryeparlamentari Kadri Veseli

Deklarimi i pasurisë – Kadri Veseli 

Kryetari i Kuvendit të Kosovës Kadri Veseli ka një banesë në Prishtinë në emër të bashkëshortes së tij Violetës e cila në bazë të deklarimit të pasurisë është blerë në vitin 2001 në vlerë 97 mijë euro. Veseli ka deklaruar se ka blerë një lokal 270 metra katror për vlerën e së cilit nuk ka treguar ndërsa ka thënë se ka marr kredi prej 110 mijë euro për blerjen e tij. 

Ai gjithashtu ka një shtëpi të përbashkët pronë e babait të tij si dhe 10 hektarë mal pronë po ashtu e babait të tij. 

Veseli merr pagë vjetore  prej 33 mijë euro si kryetar i Kuvendit e po ashtu mbi 5 mijë euro mëditje. 

Gruaja e tij Violeta merr pagë vjetore prej 3420 euro si profesoreshë në gjimnazin “Sami Frashëri” dhe 17 mijë e 640 euro nga Kobit PC.