Skip to content

Industria e çokollatës po i drejtohet tregjeve financiare për të përballuar krizën e kakaos

Rritja e çmimeve të kakaos dhe mungesa e kapitalit po detyrojnë prodhuesit dhe kompanitë e çokollatës të kërkojnë forma të reja financimi. Nga Gana deri në Zvicër, sektori po mbështetet gjithnjë e më shumë në obligacione, letra tregtare me vlerë dhe kredi fleksibile për të siguruar furnizimin me lëndë të parë.

Industria globale e çokollatës po përballet me sfida të mëdha financiare, si pasojë e rritjes së çmimeve të kakaos dhe luhatjeve të forta në tregjet ndërkombëtare.

Gana, prodhuesja e dytë më e madhe e kakaos në botë dhe një prej furnizuesve kryesorë të industrisë zvicerane të çokollatës, është ndër vendet më të prekura. Pavarësisht çmimeve rekord të kakaos, sektori në këtë vend është përballur me mungesë kapitali për pagesën e fermerëve.

Për të kapërcyer krizën, Bordi i Kakaos së Ganës (COCOBOD) ka prezantuar një model të ri financimi, përmes të cilit synon të sigurojë rreth 1.4 miliardë dollarë në tregun financiar vendor. Fondet do të përdoren për blerjen e kakaos dhe shlyerjen e detyrimeve ekzistuese.

Strategjia e re tashmë ka siguruar interes nga investitorët, ndërsa autoritetet kanë rritur edhe çmimin e paguar për fermerët për sezonin 2026/2027.

Megjithatë, problemet financiare nuk kufizohen vetëm te vendet prodhuese. Edhe gjiganti zviceran i çokollatës Barry Callebaut është përballur me presion të madh financiar për shkak të shtrenjtimit të kakaos. Fitimi neto i kompanisë për periudhën 2024/2025 ka rënë për 35.9%.

Për të përballuar nevojat e mëdha për kapital, kompania i është drejtuar tregut të obligacioneve dhe ka siguruar financime në miliarda franga zvicerane dhe euro. Gjithashtu, ka krijuar një linjë fleksibile kredie prej dy miliardë eurosh, të mbështetur në rezervat e saj të kakaos.

Ekspertët vlerësojnë se këto instrumente financiare mund t’u ndihmojnë kompanive të përballojnë mungesën e likuiditetit dhe rrezikun nga luhatjet e çmimeve, por nuk mund ta eliminojnë paqëndrueshmërinë e tregut.

Pavarësisht stabilizimit të pjesshëm të çmimeve në muajt e fundit, industria e çokollatës vazhdon të përballet me pasojat e krizës, ndërsa prodhuesit po kërkojnë mënyra të reja për të garantuar furnizimin me kakao dhe për të kufizuar kostot.

Sipas analistëve, sfida kryesore mbetet krijimi i një sistemi të qëndrueshëm financimi që garanton furnizim të rregullt me kakao dhe pagesa në kohë për fermerët.