Kosova

Haxhiu: Seanca e Kuvendit mbahet të hënën, në rend dite deklarata për Hagën

Kryetarja e Kuvendit të Kosovës, Albulena Haxhiu, ka njoftuar se Kryesia e Kuvendit ka vendosur që seanca e radhës të mbahet të hënën në orën 11:00, ku pritet të shqyrtohet edhe një deklaratë lidhur me procesin në Hagë dhe vendimin e Gjykatës Speciale.

Sipas saj, mbledhja e sotme e Kryesisë ishte e para e kësaj legjislature dhe se ajo ishte zhvilluar pas një diskutimi të gjatë.

“Pas një mbeldhje të gjatë dhe aspka të lehtë sot mbajtëm mbledhjem e parë të kësaj legjislature. E kam thënë edhe më herët arsyesja se pse nuk kemi thërrit mbledhje të kryesisë ka qenë se Kuvendi dhe Qeveria ishin kontestuar nga PDK në Gjykatën Kushtetuese. Kryesia e Kuvendit vendosi sot që seanca e Kuvendit të mbahet të hënën në orën 11:00. Miratimin e një deklarate që lidhet me procesin në Hagë, përkatësisht me vendimin e padrejtë të Gjykatës Speciale. Të jetë një qëndrim i Kuvendit dhe Kuvendit ta ketë një qendrim në raport me këtë vendim përmes një deklarate”, ka deklaruar ajo.

Haxhiu reagoi edhe ndaj kritikave se nuk kishte thirrur seancë të jashtëzakonshme pas vendimit të Hagës teksa tha se kryetarja e Kuvendit nuk ka kompetencë që vetë të thërrasë një seancë të jashtëzakonshme, duke theksuar se një kërkesë e tillë duhet të bëhet nga të paktën 40 deputetë.

“Janë bërë kritika në emrin tim se pse nuk kam thërrit një seancë të jashtëzakonshme pas vendimit të Hagës. Nuk ka pasur asnjë kërkesë që është proceduar në Kuvendin e Kosovës…Kryetarja e Kuvendit nuk ka të drejtë të thërras seancë të jashtme. Ata që kanë të drejtë ta bëjnë këtë janë 40 deputetë nënshkrues dhe menjëherë sapo të më vij edhe sot e kësaj dite një kërkesë e tillë do ta aprovoja…”, u shpreh ajo, transmeton albinfo.ch.