Viti 2018 është vit kyç për Ballkanin perëndimor prandaj shtetet duhet t’i shpejtojnë hapat integrues. Kështu ka deklaruar komisioneri evropian për Zgjerim dhe Politikë Fqinjësore, Johannes Hahn dhe shefja e diplomacisë evropiane Federica Mogherini. Përmes një postimi në rrjetet sociale, ata kanë theksuar se shtetet ballkanike duhet t’i shtojnë përpjekjet ku ka nevojë për zhvillim.
“Të jemi krenarë për arritjet e përbashkëta, t’i përforcojmë përpjekjet në fushat ku progresi duhet akoma të realizohet”, theksoi komisionari Hahn, i cili ka uruar vitin e ri, duke ftuar të formojnë një të ardhme për të rinjtë.
“Të gjithë partnerëve, politikanëve dhe qytetarëve u dëshiroj Vit të Ri të qetë dhe të gëzuar. Ta formojmë të ardhmen së bashku për rininë tonë”, theksoi Hahn.
Edhe shefja e diplomacisë evropiane Federica Mogherini tha se viti 2018 do të jetë një vit vendimtar për Ballkanin. Ajo në blogun e saj ka përmendur 12 momente të veçanta që kanë shënuar vitin e saj më 2017.
“Ky nuk ishte një vit i lehtë për Ballkanin. Kam vizituar gjashtë kryeqytete të rajonit në një nga momentet më të vështira – në disa raste, koha e krizës së thellë politike”, ka shkruar Mogherini, sipas të cilës, në sajë të vendimeve të guximshme dhe punën e madhe që është bërë së bashku, shumica e kësaj krize është zgjidhur.
“Rruga për reforma është zhvendosur përsëri (edhe pse ka ende shumë punë) dhe busulla e integrimit evropian tregon në këtë mënyrë. Viti 2018 do të jetë një vit vendimtar që kjo rrugë të forcohet dhe të bëhet e pakthyeshme. Ky do të ishte një rezultat i rëndësishëm jo vetëm për rajonin, por për të gjithë Evropën”, ka thënë ajo.