Gjykata Supreme e Kosovës ka shpallur të paligjshme dhe ka shfuqizuar disa dispozita të Udhëzimit Administrativ të Ministrisë së Punëve të Brendshme, të cilat kufizonin përdorimin e xhamave të errësuar në automjete, transmeton albinfo.ch.
Vendimi erdhi pas padisë së ngritur nga Organizata Joqeveritare “Marakli t’Kerreve” dhe Instituti “TriPika – Sport, Sociale, Ekonomi”, të cilët kërkuan shqyrtimin e ligjshmërisë së nenit 7 të udhëzimit administrativ që rregullon regjistrimin e automjeteve.
Me aktgjykimin e saj, Gjykata Supreme ka shfuqizuar paragrafët 1, 3 dhe 4 të nenit 7, ndërsa ka lënë në fuqi paragrafin 2, i cili lidhet me evidentimin administrativ të xhamave të errësuar në dokumentacionin e regjistrimit të automjeteve.
Sipas vlerësimit të Gjykatës, legjislacioni në fuqi nuk ndalon në mënyrë të përgjithshme vendosjen e xhamave të errësuar apo materialeve errësuese në automjete. Përkundrazi, modifikime të tilla lejohen për aq kohë sa automjeti i nënshtrohet procedurave të nevojshme të kontrollit teknik dhe atestimit sipas standardeve ligjore.
Në arsyetimin e vendimit thuhet se dispozitat e shfuqizuara vendosnin kufizime që nuk ishin të parashikuara në ligj. Njëra prej tyre lejonte xhamat e errësuar vetëm për automjetet që i kishin të instaluara nga prodhuesi, ndërsa një tjetër ndalonte në tërësi vendosjen e folieve errësuese në xhamat e automjeteve.
Gjykata ka konstatuar se këto dispozita nuk përfaqësonin zbatim të ligjit, por krijonin kufizime të reja materiale pa bazë ligjore, gjë që tejkalon kompetencat e organeve administrative.
Po ashtu, Supremja ka vlerësuar se dispozitat e shfuqizuara krijonin trajtim të pabarabartë për automjete që ndodheshin në rrethana të ngjashme, pa një bazë të mjaftueshme ligjore për një dallim të tillë.
Vendimi konsiderohet i rëndësishëm për pronarët e automjeteve në Kosovë, pasi hap mundësinë që xhamat e errësuar të lejohen edhe pas modifikimeve, me kusht që të respektohen procedurat ligjore dhe standardet teknike të përcaktuara nga autoritetet kompetente./Albinfo.ch