Kosova

Gjykata Kushtetuese: Presidenti i ri duhet të zgjidhet deri më 6 tetor

Kushtetuesja ka konstatuar se afati 60-ditor për zgjedhjen e Presidentit të Kosovës ka nisur më 8 gusht dhe përfundon më 6 tetor 2026.

Gjykata Kushtetuese ka përcaktuar se afati kushtetues për zgjedhjen e Presidentit të ri të Kosovës përfundon më 6 tetor 2026, përcjell albinfo.ch.

Në njoftimin për vendimin lidhur me kërkesën e Partisë Demokratike të Kosovës për çështjen e konstituimit të Kuvendit dhe formimit të Qeverisë, Gjykata ka konstatuar se më 8 gusht 2026 ka nisur të rrjedhë afati 60-ditor për zgjedhjen e presidentit.

Sipas Kushtetueses, kalimi i afatit 30-ditor për konstituimin e Kuvendit ka pasur si pasojë nisjen e afateve kushtetuese për zgjedhjen e Presidentit të Republikës së Kosovës.

Në pikën e gjashtë të vendimit, Gjykata ka konstatuar se:

“Afati gjashtëdhjetë (60) ditor për zgjedhjen e Presidentit të Republikës së Kosovës, sipas nënparagrafit 3, paragrafit 1 të nenit 82 [Shpërndarja e Kuvendit] të Kushtetutës së Republikës së Kosovës ka filluar më 8 gusht 2026 dhe përfundon më 6 tetor 2026”.

Kështu, sipas konstatimit të Gjykatës Kushtetuese, procesi për zgjedhjen e Presidentit të ri duhet të përmbyllet brenda këtij afati kushtetues.

Vendimi është marrë në kuadër të shqyrtimit të çështjeve që lidhen me konstituimin e Kuvendit dhe formimin e institucioneve të reja të Kosovës./Albinfo.ch