Lajme

Gjeneva voton për orarin e hapjes së dyqaneve dhe simbolet fetare

Në kantonin e Gjenevës, qytetarët do të votojnë më 14 qershor për dy çështje të veçanta: lehtësimin e orarit të hapjes së dyqaneve dhe ndalimin e simboleve fetare në institucionet politike.

Zgjatja e orarit të hapjes së dyqaneve

Propozimi i parë ka të bëjë me mundësinë që dyqanet të hapen edhe në dy të diela shtesë në vit, përveç 31 dhjetorit, dhe pa kushtin e mëparshëm të një marrëveshjeje kolektive të punës.
Partitë e qendrës së djathtë kërkojnë heqjen e këtij kushti, me qëllim forcimin e sektorit të shitjes me pakicë. Ndërkohë, sindikatat paralajmërojnë për përkeqësim të kushteve të punës dhe ulje të mbrojtjes së punëtorëve.
Rregullat aktuale në përgjithësi lejojnë hapjen e dyqaneve të dielave, por vetëm nëse ekziston një marrëveshje kolektive pune. Meqë që nga viti 2017 nuk është arritur një marrëveshje e re, zbatimi i këtij rregulli ka mbetur i bllokuar.

Mbështetësit e ndryshimit thonë se zgjerimi i orarit të së dielës do ta ndihmonte tregtinë lokale të konkurrojë me tregtinë online dhe blerjet jashtë vendit.

Debati për simbolet fetare

Çështja e dytë ka të bëjë me ndalimin e simboleve fetare të dukshme në parlament dhe institucione politike. Një rregull i tillë ishte futur në vitin 2019, por më pas ishte rrëzuar nga gjykatat. Tani, Këshilli i Madh i Gjenevës ka vendosur ta rikthejë, duke e çuar automatikisht në referendum.
Mbështetësit e ndalimit (SVP, FDP, Qendra dhe MCG) argumentojnë se masa garanton neutralitet institucional. Kundërshtarët e shohin si shkelje disproporcionale të të drejtave themelore të njeriut.