Finlanda ka përuruar një gardh rreth 200 kilometra të gjatë përgjatë pjesëve strategjike të kufirit me Rusinë, në një kohë kur marrëdhëniet mes dy vendeve mbeten të tensionuara.
Ministrja e Brendshme finlandeze, Marie Rantanen, deklaroi se situata aktualisht është e qetë, por kërkon gatishmëri për çdo zhvillim të mundshëm. Sipas saj, barriera do të ndihmojë në forcimin e mbikëqyrjes dhe kontrollit kufitar.
Projekti, i cili zgjati rreth katër vjet, ka kushtuar afërsisht 356 milionë euro. Finlanda e mbylli kufirin me Rusinë në dhjetor 2023, pasi mbi 1,300 persona nga vende të treta mbërritën në kufi pa viza.
Helsinki e kishte akuzuar Moskën për përdorimin e migracionit si pjesë të një “lufte hibride”, pretendim që Rusia e ka mohuar. Masa të ngjashme për forcimin e kufijve janë ndërmarrë edhe nga Estonia, Letonia, Lituania dhe Polonia.