Shqiptaro-zviceranët dhe Zgjedhjet Federale 2015

Etrit Hasler: Unë përfaqësoj të dobëtit dhe të pambrojturit

Intervistë me kandidatin Etrit Hasler, deputetin e kantonit St. Gallen, që kërkon sfida të reja në Parlamentin e Zvicrës në Bernë

Askujt nuk i shkon më mirë për shtati emërtimi zvicerano-shqiptar se sa kandidatit të SP-së, Etrit Hasler. Politikani me nënë zvicerane e baba shqiptar njihet në mesin e zviceranëve si „Halbaner“ (gjysmë shqiptar) që ka arritur të fitojë një ulëse në Parlamentin kantonal të St. Gallenit, falë edhe votave të shqiptarëve, siç pati deklaruar ai asokohe menjëherë pas zgjedhjeve.

Tani që ai kandidon për zgjedhjet nacionale, nuk është më i vetmi kandidat me prejardhje shqiptare që pret të marrë edhe votat e votuesve shqiptarë me nënshtetësi zvicerane. Janë disa të tillë dhe „rivali” i tij i drejtpërdrejtë është kandidati i të njëjtit subjekt, Arbër Bullakaj. Të dy këta ia kanë mësyrë zgjedhjeve nacionale për t’ia shtuar edhe një socialdemokrat listës së deputetëve të Kuvendit të Zvicrës, duke luftuar kështu për ulësen e tretë të socialdemokratëve nga St.Galleni.

Për rëndësinë e zgjedhjeve, fushatën elektorale, premtimet dhe angazhimin e tyre politike flet Hasler në intervistën që ka zhvilluar albinfo.ch me të.

Albinfo.ch: Sa janë të rëndësishme për ju këto zgjedhje, sa seriozisht e keni marrë ju nominimin për të kandiduar për një vend në Kuvendin e Zvicrës?

Hasler: Për mua zgjedhjet janë shumë të rëndësishme. Rezultati do të tregojë ardhmërinë e Zvicrës për katër vjetët e ardhshëm dhe do t’u përgjigjet pyetjeve se çfarë Zvicre në të vërtetë dëshiron populli: një vend të rrjetëzuar ndërkombëtar, të hapur, demokratik e me mirëqenie për të gjithë, apo një shtet diktatorial me vlera morale të mesjetës dhe i financuar me para të diktatorëve dhe mashtruesve ekonomikë? Në asgjë me pak se kjo, bëhet fjalë për zgjedhjet e këtij viti.

Albinfo.ch: Cilat janë zotimet tuaja ndaj votuesit, çfarë i ofroni ju në këmbim të votës. Pse duhet t’ju votojnë?

Hasler: Unë i përfaqësoj tashmë gati 12 vjet të dobëtit dhe të pambrojturit në asamblenë e St. Gallenit dhe në Parlamentin e Kantonit St. Gallen. Unë premtoj që angazhimin tim ta shtyj tutje në Kuvendin e Zvicrës, për migrantët, për ata që rroga nuk u mjafton për të jetuar dhe për ata që vetë nuk mund të mbrohen.

Albinfo.ch: A ka një No-Go për ty si politikan, çfarë nuk do të negocioje kurrë, cilat janë parimet tua të paluhatshme në politikë?

Hasler: Besimi im se të gjithë njerëzit kanë të drejtat e njëjta është i paluhatshëm: unë kurrë nuk do ta pranoja një trajtim të veçantë për një grup të vetëm njerëzish, nëse kjo do të cenonte të drejtat e tyre elementare, vetëm pse këtë një shumicë e kërkon. Në këtë pikë jam një kundërshtar i ashpër i ndalimit të mbajtjes së shamisë në shkolla apo në vende publike dhe e miratoj të drejtën e homoseksualëve për martesa dhe adoptim. Gjithashtu kundërshtoj, në anën tjetër, që banesat apo një vend pune t’u refuzohen njerëzve vetëm se dikush ka një emër të „gabuar” apo se ka një ngjyrë tjetër të lëkurës.

Albinfo.ch: Sa shpreson realisht që do t’i fitosh këto zgjedhje, kur dihet se nga dhjetëra kandidatë që synojnë një ulëse në Parlamentin e Bernës, kantoni i St. Gallenit mund t’i dërgojë vetëm 12, kurse Partia juaj Socialdemokrate nuk ka pasur deri më tash më shumë se dy vende.

Hasler: Kantoni i St. Gallenit është një rast kurioz special: ne njihemi si njëri ndër kantonet me një shoqëri krejtësisht agrare. Megjithëse qyteti St. Gallenit është njëri ndër qytetet më liberale dhe më progresive të Zvicrës dhe voton në zgjedhjet nacionale njëjtë si Cyrihu, Bazeli dhe Gjeneva. Deri këtu nuk është ireale që Partia Socialdemokrate ta fitojë një ulëse të tretë, në mos për tjetër,  për t’i treguar pjesës së mbetur të Zvicrës se në St. Gallen ka më tepër se një SVP me pozicione pjesërisht të ekstremit të djathtë.

etrit

Një ulëse e tretë për socialdemokratët e St. Gallenit?

Kantoni i St. Gallenit është një rast kurioz special: ne njihemi si njëri ndër kantonet me një shoqëri krejtësisht agrare. Megjithëse qyteti St. Gallenit është njëri ndër qytetet më liberale dhe më progresive të Zvicrës dhe voton në zgjedhjet nacionale njëjtë si Cyrihu, Bazeli dhe Gjeneva. … nuk është ireale që Partia Socialdemokrate e St. Gallenit ta fitojë një ulëse të tretë.