Lajme
Distancimi fizik, i arsyeshëm, mbyllja e kufijve, pa asnjë bazë shkencore
Kështu shprehet një epidemiolog suedez, ku jeta po vazhdon në mënyrë pothujse normale
Duket se Suedia, për dallim nga pjesa tjetër e Evropës, po përballet me COVID-19 pa izolim të shkallës së gjerë.
Thuhet se aty jeta po vazhdon në mënyrë pothujse normale.
Suedia nuk u fut në karantinë dhe nuk vendosi politika të ashpra për distancim social. Në vend të kësaj, ajo mori masa vullnetare, të bazuara në besim. I këshilloi të vjetrit që ta shmangin kontaktin social dhe rekomandoi që njerëzit të punojnë nga shtëpia, t’i pastrojnë duart rregullisht dhe ta shmangin udhëtimin për qëllime jothelbësore. Megjithatë, kufijtë dhe shkollat për nxënësit nën moshën 16-vjeçare mbesin të hapura, njësoj si shumë biznese, përfshirë restorantet dhe kafenetë, përcjell albinfo.ch.
Kjo qasje është përballur me kritika të ashpra. Në mesin e tyre janë edhe 22 shkencëtarë të profilit të lartë, që javën e kaluar e publikuan një letër në gazetën suedeze “Dagens Nyheter”. Në të thuhej se autoritetet e shëndetit publik kanë dështuar dhe kërkuan nga politikanët që të ndërhyjnë me masa më të rrepta. Ata e vunë në pah numrin e madh të vdekjeve nga koronavirusi në shtëpitë e të moshuarve dhe shkallën e përgjithshme të vdekshmërisë në Suedi, e cila është më e lartë se në vendet fqinje – 131 të vdekur për një milion banorë, në krahasim me 55 të vdekur për një milion banorë në Danimarkë dhe 14 të vdekur për një milion banorë në Finlandë, shtete që kanë vendosur masa izoluese.
Arkitekti i kësaj strategjie është Anders Tegnell, epidemiolog në Agjencinë e Shëndetit Publik në Suedi, organ i pavarur, rekomandimet e të cilit zbatohen nga qeveria.
A mund ta shpjegoni qasjen e Suedisë për kontrollimin e koronavirusit?
Mendoj se është ekzagjeruar fakti se sa unike është kjo qasje. Njësoj si në shumë vende të tjera, ne synojmë ta rrafshojmë lakoren e rasteve – duke e ngadalësuar përhapjen sa më shumë që është e mundshme – përndryshe, sistemi i kujdesit shëndetësor dhe shoqëria janë në rrezik nga kolapsi.
Kjo nuk është një sëmundje që mund të ndalet ose të çrrënjoset, të paktën jo përderisa të prodhohet një vaksinë. Ne duhet të gjejmë zgjidhje afatgjate që e mbajnë numrin e infektimeve në nivel të pranueshëm. Ajo që secili shtet është duke u përpjekur të bëjë është që t’i mbajë njerëzit larg njëri-tjetrit, duke i përdorur masat që ne i kemi dhe traditën që ne e kemi për t’i zbatuar ato masa. Për këtë arsye, ne përfunduam duke bërë gjëra pak më të ndryshme.
Ligjet suedeze për sëmundjet ngjitëse janë kryesisht të bazuara në masa vullnetare – në përgjegjësi individuale. Aty theksohet qartazi se qytetari e ka përgjegjësinë për të mos e përhapur një sëmundje. Kjo është bërthama prej së cilës kemi filluar, sepse nuk ka shumë përgjegjësi ligjore për t’i mbyllur qytetet në Suedi duke i përdorur ligjet e tanishme. Karantina mund të merret në shqyrtim për numër të vogël të njerëzve ose zona të vogla, siç janë shkollat ose hotelet. Por ligjërisht, ne nuk mund të vendosim në izolim një zonë gjeografike.
Në çfarë dëshmi është mbështetur kjo qasje?
Është vështirë të flitet për bazën shkencore të një strategjie me këtë lloj të sëmundjes, sepse ne nuk dimë shumë për të dhe po mësojmë përderisa po veprojmë, ditë për ditë. Izolimi, karantina, mbyllja e kufijve – asgjë nuk ka bazë shkencore historike, sipas mendimit tim. I kemi shikuar disa shtete të Bashkimit Evropian për të parë nëse ato kanë publikuar ndonjë analizë të efekteve të këtyre masave para se ato të merreshin dhe nuk kemi parë pothuajse asnjë, përcjell albinfo.ch.
E-Diaspora
-
Puna në ajër të jep ndjenjën e paqes “Nuk ka asgjë më mirë se të mund të punoj në ajër. Kur kam kohë dhe...
-
Hapet në Toronto Java e Kulturës së Kosovës
-
Cyrih: Zhvillohet seminari “Institucionalizimi i mësimit plotësues të gjuhës shqipe në diasporë – Zvicër”
-
Paraqitet si kroat, me pasaportë false – burgoset muratori nga Kosova
-
Ka shantazhuar një të burgosur: 8 muaj shtesë për kosovarin e dënuar me 16.5 vjet burgim
Jeta në Austri
-
A do të kufizojë Hallstatt i Austrisë turizmin këtë sezon? Një nga fshatrat më të bukur dhe më të mbushur me njerëz të Austrisë po kërkon...
-
Planifikonte sulm në Graz të Austrisë, arrestohet 14-vjeçarja me origjinë nga Mali i Zi
-
A duhet të kryejnë shërbimin e detyrueshëm ushtarak të Austrisë personat me shtetësi të dyfishtë?
-
Rreth 350 biznese nga diaspora dhe Kosova u mblodhen në Prishtinë
-
Si po e ndryshon motin në Austri ngrohja globale?