Lajme
Edukimi seksual në shkolla, një temë thelbësore që zemëron disa prindër
Prej disa vitesh, orët e edukimit mbi shëndetin seksual në Zvicrën frankofone po përballen me kundërshtime nga disa prindër, të mbështetur nga një pjesë e së djathtës politike, të cilët i konsiderojnë ato si “ideologjike”. Për autoritetet, këto orë janë jetike për parandalimin e abuzimeve seksuale dhe dhunës, uljen e shtatzënive të padëshiruara si dhe përballjen me fenomenin e dhunës kibernetike. Në Gjenevë po shqyrtohet madje futja e tyre që në vitin e 9-të.
Me fillimin e vitit të ri shkollor në disa kantone frankofone, një pjesë e fëmijëve do të ndjekin për herë të parë orë të edukimit seksual, një temë që po shkakton rezistencë te disa prindër.
“Detyra kryesore për edukimin seksual bie mbi familjet. Por mësimet në shkollë na lejojnë të përditësojmë disa mesazhe thelbësore,” theksoi specialistja Monica Mota për RTS. “Sa më herët të fillojmë të flasim për trupin dhe emocionet, aq më shumë fëmijët kuptojnë se kanë të drejtë të informohen, të bëjnë pyetje dhe të marrin përgjigje. Po ashtu, ata e dallojnë më shpejt nëse diçka nuk është e përshtatshme.”
Sipas saj, këto orë janë thelbësore për mbrojtjen e fëmijëve nga abuzimi.
Një klimë tensioni me prindërit
Që prej dy vitesh, në Zvicrën frankofone është shtuar zemërimi i një grupi prindërish, të cilët kanë gjetur mbështetje nga e djathta. Ata e shohin edukimin seksual si një rrëshqitje ideologjike.
Në Fribourg, specialistja Alexandra Chavannaz tregon se takimet me prindërit shpesh zhvillohen në një klimë tensioni. “Ka pasur mbrëmje ku prindërit kanë qenë shumë më kritikë. Në disa raste janë bërë edhe kërcënime, madje është dashur edhe prania e policisë për të shmangur incidentet,” kujton ajo.
Këto takime shërbejnë për të shpjeguar rëndësinë e orëve të edukimit seksual: parandalimi i abuzimeve, ulja e shtatzënive të padëshiruara, lufta kundër dhunës seksuale dhe ndërtimi i marrëdhënieve të shëndetshme.
Peticioni i “Parents Suisse”
Në vitin 2023, në Romandi u shfaqën kundërshtimet e para të organizuara. Në qendër të tyre qëndron kolektivi Parents Suisse, i cili në fillim të vitit 2024 dorëzoi një peticion me 23 mijë firma në Këshillin e Madh të Gjenevës. Ata e akuzojnë edukimin seksual për “përmbajtje ideologjike” dhe kundërshtojnë idenë që fëmijëve t’u ngjallet dyshim mbi identitetin e tyre seksual.
Autoritetet mohojnë çdo akuzë për indoktrinim. “Këto mësime mbështeten në informacione të provuara shkencërisht, nuk ka asnjë lloj prozelitizmi,” thekson Pascal Freydier, drejtor i Shërbimit të Shëndetit të Fëmijëve dhe të Rinjve në Gjenevë, transmeton albinfo.ch.
Mësime që nga klasa e 3-të?
Qëllimi kryesor, sipas tij, është që fëmijët të mësojnë të respektojnë veten dhe të tjerët. “Këto orë u japin nxënësve aftësi për të pasur një jetë seksuale dhe emocionale të shëndetshme, duke i mbrojtur nga informacionet e rreme.”
Edhe këshilltarja e shtetit në Gjenevë, Anne Hiltpold, e mbështet idenë që edukimi seksual të fillojë sa më herët. “Nuk po u mësojmë fëmijëve të kenë marrëdhënie seksuale. Po punojmë mbi trupin, intimitetin, respektin. Për mua, kjo është themelore. Madje po shqyrtojmë mundësinë që mësimet të fillojnë që në klasën e 3-të,” deklaroi ajo.
Një fenomen evropian
Debati mbi edukimin seksual nuk është vetëm zviceran, por pjesë e një lëvizjeje më të gjerë evropiane.
Në Belgjikë, në vitin 2023, futja e detyrueshme e kurrikulës EVRAS (Edukimi mbi Marrëdhëniet, Dashurinë dhe Seksualitetin) shkaktoi protesta të forta nga katolikë konservatorë dhe disa grupe myslimane, të mbështetur nga lëvizje të radikalizuara gjatë pandemisë. Tensionet shkuan deri aty sa disa shkolla u vandalizuan.
E njëjta revoltë po gjen jehonë edhe në Francë, ku grupe si “SOS Éducation” dhe “Parents Vigilants” akuzojnë shkollat për “ekstremezime të zgjimit kulturor”.
E-Diaspora
-
Yll Gashi vazhdon aventurën me Bayern Munichun, rinovon kontratën deri në vitin 2028 Talenti me prejardhje nga Kosova fiton besimin e klubit bavarez dhe pritet të jetë pjesë e... -
Amerikë
Desarta Rapushaj përfundon me sukses programin prestigjioz Fulbright në “Michigan State University” -
Zvicër
Fillojeta Makshana shpallet më e mira në gjuhën gjermane në komunën e Payernit të Zvicrës -
Paradoksi i kohës sonë: Arritjet e grave rriten, por edhe dhuna në familje -
AlphaTECH sjell zgjidhje të integruara të kallëpimit për projektet e ndërtimit
Jeta në Austri
-
Vjenë
Studentët nga Kosova shkëlqejnë në kampin ndërkombëtar të sigurisë kibernetike në Vjenë Lorik Kelmendi zuri vendin e parë në garën “AI Mini CTF”, Senad Mehmeti u rendit i... -
ÖBB rrit çmimet e biletave për shkak të kostove të larta të energjisë -
Gjykata austriake shpall të paligjshme tarifat e check-in dhe të imbarkimit në Ryanair -
20,000 persona kanë nënshkruar peticion për të hequr karrocat e kuajve nga Vjena -
Austri
Fejton Sylejmani diplomon me sukses në Universitetin e Salzburgut, fiton titullin Master i Arteve












