Lajme

Edhe një doktorante shqiptare në një universitet zviceran

Shkurta Gashi është shqiptarja nga Kosova, e cila ka një përvojë të pasur profesionale. Tani më është në prag të doktorimit për informatikë në “Università della Svizzera italiana (USI)” në Lugano të Zvicrës

Shpeshherë për njeriun mjafton dëshira, puna dhe vullneti për të arritur në realizimin e ëndrrave, aty ku do. Kjo ndodhi me Shkurta Gashin, një vajzë energjike, me ambicie të mëdha për jetën, duke mos ndaluar së punuari për synimet dhe qëllimet e saj.

Nga këndvështrimi i parë, tek Shkurta vërehen shumë veçanti, në formimin intelektual, profesional dhe etik në qëndrimet e saj dhe, para së gjithash, në të menduar.

Ajo ka një biografi interesante. Është lindur dhe rritur në Prishtinë, për t’u bërë më pas një emër suksesi në shtetin e Zvicrës. Tani ajo ligjëron dhe bën hulumtime në fushën e “Mobile computing” dhe “Personal informatics systems”. Më saktë, është kandidate për doktoratë në “Università della Svizzera italiana (USI)” dhe njëkohësisht asistente ligjëruese në po të njëjtin universitet.

 

Nga Kosova, në Greqi, për t’u bërë emër suksesi në Zvicër

Sukseset e Shkurtës në aspektin arsimor e quan drejt universiteteve më të mira studimore.

Ajo ka filluar shkollimin e saj në vendlindje, në Prishtinë, më pas, studimet i ka vazhduar në Greqi dhe Zvicër.

“Shkollën fillore dhe të mesme i kam ndjekur në Prishtinë, më saktësisht në shkollën fillore “Emin Duraku” dhe gjimnazin “Sami Frashëri”, drejtimi Matematikë-Informatikë. Pas përfundimit të shkollimit të mesëm, fitova bursë nga Ministria e Arsimit, Shkencave, Teknologjisë dhe Inovacionit (MASHTI) në Kosovë, për të vazhduar studimet “Bachelor” në Shkenca Kompjuterike në “City College, International Faculty of University of Sheffield” në Selanik të Greqisë”, shprehet Shkurta për Albinfo.ch.

Studimet e suksesshme që i bëri në Greqi, Shkurtës i hapi mundësi të re për të vazhduar studimet e saj në Zvicër, në një rrafsh tjetër të nivelit studimor, akademik.

“Pasi përfundova nivelin Bachelor në Greqi, fitova bursë nga “Università della Svizzera italiana (USI)” në Lugano të Zvicrës për studime Master në Informatikë. Bursa që mora nga USI u ndahet 5 studentëve të dalluar në Fakultetin e Informatikës dhe si kriter i ripërtërirjes së bursës ishte arritja e një mesatareje të lartë të notave gjatë semestrit. Pas përfundimit të studimeve Master, vazhdova studimet e doktoratës në të njëjtin universitet”, tregoi ajo.

 

Hulumtuese dhe asistente ligjëruese e shkëlqyer në fushën e Informatikës

Ka 6 vjet që Shkurta jeton dhe vepron në Zvicër. Qëndrimi në Zvicër, përgjatë këtyre viteve, ka ndikuar shumë në ngritjen e saj si në aspektin profesional, ashtu edhe të jetës në përgjithësi.

“Qëndrimi në Zvicër tash e 6 vjet ka ndikuar shumë në ngritjen time si në aspektin profesional, ashtu edhe në atë personal. Sa i përket zhvillimit profesional, më ka dhënë mundësi bashkëpunimi jo vetëm me profesionistë në Zvicër, por edhe jashtë saj”, tregon ajo.

Vlen të theksohet se ajo aktualisht ligjëron dhe njëkohësisht bën hulumtime në fushën e “Mobile computing” dhe “Personal informatics systems”. Për një kohë të shkurtër do të doktorojë në “Università della Svizzera italiana (USI)”, aty ku edhe është asistente ligjëruese.

“Si asistente në Fakultetin e Informatikës në USI punoj tash e 4 vjet. Njëkohësisht, punoj dhe si bashkëmbikëqyrëse e temave të diplomës të nivelit Bachelor dhe Master si dhe e studentëve që vijnë për praktikë verore në grupin tonë. Ndërkohë si hulumtuese (researcher), unë ndihmoj në zhvillimin e teknologjive dhe sistemeve të reja që kanë për potencial të ndryshojnë shoqërinë tonë. Si shkencëtare e të dhënave (data scientist), unë mundohem të nxjerr informata sa më të mira dhe sa më të sakta nga një sasi e madhe e të dhënave që ne si individë i gjenerojmë gjatë aktiviteteve ditore, të cilat ndihmojnë të kemi një jetë të shëndetshme fizike dhe mendore”, shprehet ajo.

Shkurta po ashtu ishte pjesë e shumë konferencave në botë, si Singapor, Japoni, Greqi, Qipro, Angli, Finlandë, duke njohur hulumtues në fushën e Informatikës që punojnë në universitete me renome botërore dhe në kompani të mëdha të teknologjisë, si Intel, IBM, Microsoft.

 

Ambientimi i lehtë në shoqërinë dhe kulturën zvicerane

Shumë herë dëgjojmë se ambientimi në Zvicër, me kulturën dhe shoqërinë që ka, është një sfidë te pothujse të gjithë shqiptarët.

Rasti i Shkurtës nuk është i tillë. Ajo tregon për albinfo.ch se studimet në Greqi e kanë ndihmuar shumë ambientimin dhe, më pas, edhe jetesa për një periudhë kohore me një grua zvicerane, e kishte ndihmuar aq shumë, sa që edhe shoqëria që tani shumica janë zviceranë.

“Përvoja e studimeve në Greqi më ka ndihmuar shumë në këtë aspekt. Mbase diversiteti i kombësive të studentëve që takova atje, por edhe të popullsisë locale, më bën që ta pasuroj dijen time socio-kulturore dhe njëkohësisht ta përjetoj nga afër stilin e jetës në këtë diversitet. Ndoshta për këtë arsyje nuk do ta quaja vështirësi, por si vazhdimësi të eksperiencave të ndryshme socio-kulturore që shkëmbehen gjatë studimeve. Nga ana tjetër, unë isha me fat ta jetoj stilin zviceran të jetës qysh në fillim të ardhjes sime këtu, sepse kam jetuar dy vjet në banesën e një zonje zvicerane. Ajo më bëri që ta përjetoj dhe ta njoh nga afër stilin e jetës në Zvicër. Më njoftoi me shumë njerëz lokalë, që ende kam shoqëri me ta. Ishte një ndër eksperiencat më të veçanta që kam pasur deri tani këtu, shprehet ajo.

 

Në prag të doktorimit në Zvicër

Zvicra njihet si një ndër vendet me cilësi të lartë të arsimit. Shkurta tani është duke bërë përgatitjet përfundimtare për të doktoruar. Ajo në mënyrë të detajuar tregon temën e doktoraturës për albinfo.ch.

“Tema ime e doktoratës fokusohet në dizajnimin dhe implementimin e sistemeve dhe algoritmave automatike që detektojnë veprimet dhe sjelljet e njerëzve në jetën e përdishtme, duke i përdorur të dhënat nga senzorët që gjenden në pajisjet personale (si p.sh., telefona, orë apo dëgjuese të mençura). Në laboratorin tonë kemi zhvilluar metoda që përdorin të dhënat nga orët e mençura si rrahjet e zemrës, aktivitetit elektrodermal, temperaturën e trupit dhe lëvizjeve të  trupit, për të detektuar nëse përdoruesi i orës është duke fjetur ose zgjuar, është i stresuar apo i relaksuar, nëse është i vëmendshëm gjatë orës mësimore ose jo, etj. Për shembull, gjumi është një proces thelbësor në jetën tone, sepse nëse bëjmë gjumë të mirë dhe të mjaftueshëm, ne performojmë shumë më mirë në punë, kemi memorie dhe koncentrim më të lartë, si dhe shëndet fizik dhe mendor më të mirë. Sistemet që u lejojnë njerëzve të përcjellin gjumin çdo ditë u ndihmojnë mjekëve dhe njerëzve në përgjithesi që të detektojnë problemet eventuale shëndetësore shumë më herët dhe të intervenojnë me kohë, në mënyrë që të shmangen këto probleme”, bën të ditur ajo.

 

Finaliste për çmimin “Gaetano Borriello Outstading Student Award”

Shkurta është edhe fituese e shumë çmimeve të rëndësishme arsimore. Ajo përveç hulumtimeve, ka ndjekur edhe shumë trajnime të rëndësishme për profesionin që ajo e ushtron. Së fundmi, Shkurta është finalistja pretendente për çmimin “Gaetano Borriello Outstading Student Award”.

“Çmimi “Gaetano Borriello Outstanding Student Award” u shpërndahet studentëve, të cilët kanë dhënë kontribute të jashtëzakonshme në fushën e hulumtimeve “Ubiquitous Computing”. Ky çmim ndahet për nder të Gaetano Borriiello, i cili ka qenë një shkencëtar dhe hulumtues amerikan në fushën e kompjuterikës dhe njihet si drejtor themelues i Intel Research në Seattle të Amerikës. Megjithëse unë nuk jam fituesja kryesore e këtij çmimi, të jem një ndër finalistet është një privilegj shumë i madh për mua, duke konsideruar që konkurrenca në këtë komunitet që përfshin shkencëtarë dhe hulumtues nga e gjithë bota është shumë e madhe”, shprehet ajo.

Përveç kësaj, ajo tregon për albinfo.ch se në një të ardhme të afërt do të bëjë një vizitë për hulumtime në “Nokia Bell Labs” në Angli.

“Së fundmi kam filluar një bashkëpunim me laboratorin “Nokia Bell Labs në Cambridge” të Britanisë së Madhe. Qëllimi i këtij bashkëpunimi është që të zhvillojmë një metodë automatike që të detektojmë sa energji fizike kemi në fillim të ditës, duke përdorur të dhënat nga sensorët që gjenden në dëgjuese për vesh. Po, pra, dëgjueset për vesh, sikurse telefonat dhe orët e mençura, mund të kenë më shumë potencial përveç dëgjimit të muzikës. Zhvillimet e fundit në teknologji kanë shfaqur se këto pajisje mund të përmbajnë një seri të ndryshme të senzorëve që matin rrahjet e zemrës si dhe lëvizjen e trupit të përdoruesve të tyre. Prandaj, qëllimi i këtij projekti është të shfaqim potencialin e dëgjueseve për të shkuar përtej funksioneve “të limituara” që jemi mësuar deri më tani.

 

Kosova, vendi i zemrës

Shkurta është shumë e lidhur me Kosovën, ajo tregon se zemra i rreh ndryshe kur prek tokën e Kosovës, atje jetojnë shumë familjarë të saj dhe shoqëria, duke e bërë një lidhje të ngrohtë me ta.

Pothuajse çdo vit ajo viziton disa herë Kosovën, pasi është e lidhur shpirtërisht dhe emocionalisht me vendlindjen e saj.

“Me Kosovën jam e lidhur shumë, sepse atje e kam familjen dhe shoqërinë e ngushtë. Zakonisht e vizitoj Kosovën 3-4 herë në vit. Dy vjetët e fundit kanë qenë më problematike për shkak të pandemisë dhe jam munduar të lëviz sa më pak, mirëpo në kushte normale mundohem të jem sa më shumë prezente në Kosovë, sidomos në data të rëndësishme”, tregon Shkurta. /Albinfo.ch